
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.
Qysh në takimin e parë të mbajtur nga Unioni Afrikan (UA) këtë muaj, Maroku – që udhëheq presidencën e këtij institucioni për muajin mars – bëri thirrje për mbrojtjen e “integritetit territorial”, si mënyrë për të ruajtur stabilitetin në kontinent.
Njohja nga Kenia mund të sjellë një ndryshim të kësaj politike, duke nxitur që edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.
Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, thotë se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.
“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.
Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se, në të ardhmen, Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se njohja nga Kenia mund të nxisë një trend të njohjeve të Kosovës.
Ai tha se, personalisht, do të bisedojë me udhëheqës të Afrikës Lindore për të parandaluar “përhapjen e trendit [të njohjes së Kosovës]”.
Ai, gjithashtu, paralajmëroi se në dy javët e ardhshme do të ketë tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga dy vende afrikane, por nuk i specifikoi.
Edhe në të kaluarën, Serbia ka njoftuar për tërheqje të njohjeve nga vende si: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera.
Shumica prej vendeve për të cilat Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen, janë nga Afrika.
Visoka, më herët, i kishte cilësuar çnjohjet e pavarësisë së Kosovës si “akte të çrregullta”, që nuk kanë kuptim në rastin e Kosovës, pasi që arsyet e përmendura në njohjet fillestare – si konstatimi i 2010-tës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare – nuk kanë ndryshuar.
“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, pa traditë të gjatë diplomatike dhe që njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, që e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, kishte thënë Visoka.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës e ka akuzuar Serbinë për presion ndaj shteteve për mosnjohjen apo tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas saj, Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën në Ohër më 2023, përmes “refuzimit të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”.
Pse ka nxitur reagime njohja nga Kenia?
Përveç shpresës nga Kosova dhe frikës nga Serbia se njohja e Kenias mund të nisë një trend të ri të njohjeve, njohja e Kenias në veçanti ka rëndësi.
Prej shteteve afrikane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani, Kenia është shteti i dytë me bruto prodhimin e brendshëm më të madh, pas Egjiptit.
Pas zyrtarizimit të njohjes nga Kenia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuan edhe për “mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”.
“Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm”, shkroi Osmani në X.
Deri më tani, roli i Kenias në Ballkan ka qenë i kufizuar në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Por, në Afrikë, e veçanërisht në Afrikën Lindore, ky shtet gëzon një rol të rëndësishëm si fuqi rajonale, përmes pjesëmarrjes në projekte të ndryshme, si autostrada elektrike me Etiopinë dhe Rrjeti i Energjisë i Afrikës Lindore.
Kenia, gjithashtu, është anëtare themeluese e Komunitetit të Afrikës Lindore (EAC), kryesimin e së cilës tani e gëzon presidenti Ruto.
Ajo ka luajtur disa herë rol kyç edhe në ndërmjetësimin e konflikteve brenda rajonit.
Për shembull, më 28 mars, Kenia dërgoi ish-kryeministrin Raila Odinga në Sudanin Jugor, me synimin për të parandaluar rikthimin e luftës civile.
Pse nuk e njohin Kosovën më shumë shtete?
Që nga viti 2008, Kosova ka siguruar njohje nga gati 120 shtete. Në vitet e fundit, MPJD-ja është kritikuar nga opozitarë dhe njohës të politikës për mosangazhim për njohje të reja.
Visoka thotë se ka shumë arsye pse Kosova nuk ka siguruar më shumë njohje. Ndër to, kryesore janë “zhvendosja e prioriteteve të politikës së jashtme të Kosovës” dhe “fushata proaktive diplomatike e Serbisë për të parandaluar dhe, kur është e mundur, për të tërhequr njohjet e Kosovës”.
Sipas tij, ndikim ka pasur edhe Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2021, kur Kosova është pajtuar që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Kjo ka krijuar përshtypjen ndërkombëtare se Kosova nuk është më e interesuar për njohje të reja, ose se rruga për njohje duhet të kalojë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Visoka.
Marrëveshja e Uashingtonit obligoi edhe Serbinë që të pezullonte iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që ta tërhiqnin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Visoka thotë se shumë shtete frikësohen se procesi i njohjeve mund të ketë efekte destabilizuese dhe t’i minojë interesat e tyre, “prandaj kanë prirje të ruajnë rendin ndërkombëtar ekzistues dhe t’i japin përparësi integritetit territorial ndaj së drejtës për vetëvendosje”.
Por, sipas tij, kjo gjë mund të ndryshojë, nëse shteti që kërkon njohje, si Kosova, angazho