Sunday, November 24, 2024
HomeLajmePse Holanda s’është e bindur që ta përkrahë Kosovën për vizat, flet...

Pse Holanda s’është e bindur që ta përkrahë Kosovën për vizat, flet zëdhënësi i saj në BE

Zëdhënësi i Përfaqësisë së Përhershme të Holandës në Bashkimin Evropian, Deniz Horzum, thotë se Kosova s’gëzon përkrahje të mjaftueshme nga shtetet anëtare që t’i liberalizohen vizat. Horzum ka thënë se shteti i tij nuk është i bindur se Kosova ka shënuar progres të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. 

Komisioni Evropian para tre vjetëve kishte rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, por ky rekomandim se ka bindur njërën nga shtetet anëtare të BE-së, Holandën.

Zëdhënësi i këtij shteti në BE, Deniz Horzum ka deklaruar për  se konkluzionet e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave s’ishin mjaftueshëm bindëse që Këshilli i BE-së të vendosë për heqjen e vizave.

“Këshilli i Bashkimit Evropian do të vendosë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Deri tani ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshill. Siç e dini, liberalizimi i vizave është proces teknik, i udhëhequr nga kriteret, në të cilin një shtet duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret në mënyrë të qëndrueshme para se Këshilli të mund të vendosë për largimin e kërkesës për viza. Kur Komisioni i BE-së raportoi për herë të fundit për këtë, Holanda arriti në përfundimin se konkluzionet e Komisionit për historikun e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar nuk ishin mjaftueshëm bindëse”, ka deklaruar Horzum.

Megjithatë, zëdhënësi i Holandës në BE u shpreh se për shtetin e tij korrupsioni i nivelit të lartë duhet të ndiqet penalisht por edhe të dënohen ata që janë përgjegjës dhe të rritet efikasiteti i sektorit gjyqësor.

“Ne jemi të inkurajuar nga planet e qeverisë së Kosovës për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe presim rezultate. Për Holandën është e rëndësishme që korrupsioni i nivelit të lartë jo vetëm të ndiqet penalisht, por të çojë te zbatimi efikas i dënimeve të atyre që janë përgjegjës. Kjo theksohet gjithashtu në raportin e progresit për vitin 2020 për zgjerim nga Komisioni Evropian. Është e rëndësishme që efikasiteti i përgjithshëm i sektorit të gjyqësorit dhe zbatimit të ligjit të rritet. Kjo nuk duhet të bëhet vetëm një herë, por të ketë një përmirësim strukturor për një periudhë më të gjatë kohore. Kosova mund të llogarisë në përkrahjen tonë përmes projekteve, këshillave dhe ekspertëve për t’i arritur këto rezultate të qëndrueshme”, tha ai.

Ai tutje foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, proces ky që për Holandën është proces i ndarë nga ai i liberalizimit të vizave.

“Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga BE-ja, është me rëndësi kyçe jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për tërë rajonin. Ne jemi të inkurajuar që bisedimet mes dy palëve kanë rifilluar dhe shpresojmë që kjo do të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme, që do të kontribuojë për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve. Ndonëse dialogu Prishtinë – Beograd dhe liberalizimi i vizave janë shumë të rëndësishme, për Holandën, ato janë procese të ndara”, deklaroi zëdhënësi i Holandës në BE.

Gazeta Express ditë më parë ka mësuar nga nga burimet diplomatike brenda BE-së, se regjimi i vizave do të jetë në fuqi të paktën edhe për pjesën e mbetur të 2021-ës sepse çështja e liberalizimit të vizave s’do të vendoset në agjendën e Këshillit të BE-së.

Kësisoj, kosovarët do të vazhdojnë aplikimin e tyre nëpër ambasadat e shteteve të BE-së për të marrë vizë shengen.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments