Partia Social-Demokrate ka reaguar në Facebook pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe në disa komuna të tjera.
Në reagimin e PSD-së thuhet se “e vërteta e spektaklit për targa doli në sipërfaqe”.
PSD-ja ka thënë se Njësitin Special të Kosovës në veri e ka dërguar vetëm data e zgjedhjeve, pasi që nuk ka pasur asnjë urgjencë apo marrëveshje.
“Intervenimi në veri është ndër ato momentet ku koha (periudha) e përzgjedhur për veprim i jep shpjegim dhe kuptim ndërhyrjes. Si për ta vërtetuar frazën që thotë se ‘fundi rikuptimson fillimin’, intevenimi sot zhveshi arsyet e intervenimit dje (për targat)”, thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD-ja ka thënë se kryeministri Kurti ka kthyer akrepin e orës në funksion të brendshëm zgjedhor, ndërsa ka thënë se për këto veprime të paramenduara, ka një logjikë të brendshme që dërgon në disa konsekuenca politike përtej efektit electoral.
“Më këto veprime për “rend dhe ligj” po skicohet një pamje e rrejshme që thotë se atje janë disa grupe kriminale që për qëllime përfitimi e pasurimi, po cënojnë shtetin. Sipas kësaj qasjeje, veriu para se të jetë problem politik është problem i një natyre egoiste, për pak më shumë pushtet e para, e organizuar në grupe kriminale”, thuhet ndër të tjerash në reagim.
Ata i janë drejtuar Kurtit duke thënë se problemi i veriut është çështje politike, andaj edhe zhveshja e problemit nga aspekti politik e amneston Serbinë.
Reagimi i plotë: