Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeProtestë në Shqipëri pas dhunës së ushtruar ndaj 3-vjeçares

Protestë në Shqipëri pas dhunës së ushtruar ndaj 3-vjeçares

Me thirrjet “mos na prekni fëmijët” “stop abuzimit”, “duam siguri për fëmijët”, “mos na vrisni ëndrrat”, “Ky nuk është sistem i arsimit, por sistem i krimit”, qytetarë të shumtë protestuan para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, duke kërkuar drejtësi për rastin e një 3-vjeçareje, prindërit e së cilës kanë denoncuar se ajo është keqtrajtuar fizikisht nga njëra prej edukatoreve të një kopshti.

Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor dhe pas disa peripecive prindërit e kanë denoncuar në media tri ditë më parë, ndërsa edukatorja është arrestuar nga policia shqiptare më 9 nëntor, nën akuzën “keqtrajtim i të miturit”.

Ky rast u denoncua në një emision hulumtues në mediat shqiptare, të cilit iu drejtuan prindërit e vajzës. Pamjet e publikuara tregonin se edukatorja e tërhiqte me forcë 3-vjeçaren, së cilës i kishte mbetur këmba në hapësirën mes krevateve. Sipas prindërve, në atë moment i është thyer kocka e kofshës, ndërsa në video dëgjohet që vajza qan. Veprimet e tjera të edukatores vijojnë me fjalor fyes dhe me ushtrim dhune edhe pasi vajza është ngritur nga gjumi dhe vazhdon të qajë.

Prindërit e saj kanë treguar se janë njoftuar nga drejtues të kopshtit rreth pesë orë pas këtij incidenti. Sipas tyre, drejtuesit e kopshtit janë përpjekur ta fshehin ngjarjen, duke u thënë se enjtja e këmbës kishte ndodhur nga pickimi i ndonjë insekti. Por, mjekët kanë konstatuar se bëhej fjalë për thyerje të kockës (femurit).

Ngjarja ka nxitur reagimin e shoqërisë në Shqipëri. Fillimisht u protestua ditën e martë në dyert e kopshtit jopublik, i cili u mbyll menjëherë me urdhër të Ministrisë së Arsimit, ndërsa të enjten, qytetarët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit në Tiranë kërkuan dorëheqjen e krerëve të Ministrisë së Arsimit.

Kërkesa vjen pasi vetë Ministria pranoi se kopshti nuk kishte licencë nga ky institucion. Pronari e kishte regjistruar kopshtin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por nuk kishte licencë për ushtrimin e këtij aktiviteti në shërbim të fëmijëve.

Ministria e Arsimit deklaroi se përgjegjësia e saj është vetëm pajisja me licencë, por jo kontrolli nëse biznese të tilla ushtrojnë aktivitete pa licencë. Megjithatë, ky insitutucion vendosi ngritjen e një task-force për t’i verifikuar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitete në shërbimet për fëmijët.

“Duhet patjetër kontroll dhe çerdhet private. Janë bërë si kërpudha. Skena të tmerrshme. Edukatoret nuk e dinë se çfarë kualifikimi kanë, i marrin dhe i sjellin aty”, tha një protestuese.

Është e paqartë se si ka arritur ky kopsht të funksionojë pa licencë dhe pa iu përgjigjur institucioneve sa i përket detyrimeve nga taksat dhe tatimet. Pronari i kopshtit është proceduar për tri akuza “ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “fshehja e të ardhurave”, dhe “mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Protestuesit më pas vazhduan marshin e tyre nga Ministria e Arsimit drejt asaj të Brendshme.

“Jemi këtu për të kërkuar drejtësi për të funksionuar institucionet si duhet”, tha një qytetare, ndërsa folës të ndryshëm në protestë kërkuan që kjo ngjarje të pasohet me dorëheqje të zyrtarëve nga dy Ministritë.

Veç dhunës së ushtruar në kopsht, neglizhencës së institucioneve që kanë lejuar funksionimin e këtij subjekti, ka dyshime se edhe policia e ka neglizhuar ngjarjen. Për këtë arsye dy punonjës të komisariatit numër 1 në Tiranë, me gradë nënkomisar, janë pezulluar dhe po hetohen për “shpërdorim detyre”.

Policia tha se “ka dyshime se dy nënkomisarët, nuk kanë kryer veprimet e duhura hetimore për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat që kanë kryer keqtrajtimin e të miturës në ambientet e kopshtit”.

Të pezulluar janë edhe tre oficerë të policisë. Prindërit që ishin në protestë kanë kërkuar që të garantohet siguri për fëmijët në kopshte dhe shkolla përmes kontrolleve periodike në të gjitha institucionet e arsimit. /REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments