Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaPronarja e Lulu’s ia përplas faktet në fytyrë ministrit Sveçla: Na dënuat...

Pronarja e Lulu’s ia përplas faktet në fytyrë ministrit Sveçla: Na dënuat padrejtësisht 2 mijë euro, çfarë shteti është ky ku nuk merren parasysh ankesat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka deklaruar se dënimet për mos respektimin e masave anti-COVID19 nuk po bëhen për inat, por se duhet të zbatohen nga të gjithë pa përjashtim.

 

E ndaj deklaratave të ministrit Sveçla, ka reaguar pronarja e “Lulu’s Coffe and Wine”, Sara Rexhepi – Pula.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sara Rexhepi ka deklaruar se kafiteria që ajo drejton është mbyllur me urdhër të inspektorëve pa asnjë bazë ligjore.

“Dua të tërheq vëmendjen tuaj për rastin e “Lulu’s Coffe and Wine” që me datë 02/09/2021, me urdhër të inspektorëve, të mbështetur nga forcat policore, është mbyllur dhe është gjobitur me 2000 euro me arsyetimin që është zhvilluar veprimtari e palejuar brenda hapësirës së mbyllur”, ka shkruar ndër të tjerash Rexhepi.

Tutje, ajo ka thënë se ka ngritur ankesë për vendimin e inspektorëve, duke deponuar edhe dëshmi, përfshirë këtu edhe kopjen e video-regjistrimeve nga kamerat e sigurisë të lokalit ku shihet se kafiteria ka respektuar të gjitha masat e vendosura nga Qeveria dhe nuk ka pasur veprimtari në hapësirën e mbyllur të lokalit.

Rexhepi ka deklaruar se deri më tani, ankesa e saj ka hasur në ‘vesh të shurdhër’ me justifikimin se ‘çështja është delikate’.

Ajo ka thënë se po i drejtohet ministrit Sveçla në emër të 25 familjeve që biznesi i saj përfaqëson, të cilat aktualisht kanë mbetur pa të ardhura.

Postimi i plotë:

Letër e hapur drejtuar z. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.
Kopje për z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës. 

I nderuari z. Ministër, 

Me interes të veçantë kemi ndjekur deklarimin tuaj ku pohoni se gjobat dhe masat ndëshkuese të shqiptuara kundër bizneseve nuk janë produkt i inateve, por që ato janë pjesë e veprimit institucional për të mbrojtur shëndetin publik. Si qytetare e Republikës së Kosovës, por edhe si një grua ndërmarrëse, fillimisht dua të ju shpreh përkrahjen time të plotë për të gjithë angazhimin në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik.
Në këto kohë të vështira, reagimi institucional, por edhe përkrahja qytetare për to, është më shumë se domosdoshmëri. Thënë këtë, dua të tërheq vëmendjen tuaj për rastin e “Lulu’s Coffe and Wine” që me datë 02/09/2021, me urdhër të inspektorëve, të mbështetur nga forcat policore, është mbyllur dhe është gjobitur me 2000 euro me arsyetimin që është zhvilluar veprimtari e palejuar brenda hapësirës së mbyllur.
Duke pasur besim të plotë në sinqeritetin e deklarimit tuaj publik, të cekur më lart, duhet të theksoj se ndaj veprimit të datës 2 shtator, ne kemi ngritur ankesë me pretendimin se ky është një veprim arbitrar dhe pa asnjë bazë. Pranë autoriteteve kompetente, ne kemi deponuar dëshmitë tona, përfshirë edhe kopjen e video regjistrimeve nga kamerat e sigurisë ku shihet qartë që lokali ynë ka respektuar të gjitha masat e diktuara nga autoritetet dhe se nuk ka pasur asnjë lloj veprimtarie në hapësirën e mbyllur të lokalit. Fatkeqësisht, ankesa jonë ka hasur në vesh të shurdhër me justifikimin e çuditshëm që çështja është delikate! Nuk e kuptojmë, që kur në një shtet demokratik qenka delikate të shqyrtosh faktet relevante të një ankese qytetare?
Zotëri Ministër,
Procesi i rregullt ligjor, përkatësisht shqyrtimi faktik i pretendimeve të të gjitha palëve dhe korrigjimi i lëshimeve të caktuara, përbën esencën e një rendi shoqëror ku ka sundim të ligjit. Mohimi i këtij procesi, me arsyetime triviale, pos që është shkelje e ligjit njëherësh përbën thelbin e asaj që njihet veprim arbitrar dhe shkelje e të drejtave qytetare.
Zotëri Ministër,
Ne, stafi i “Lulu’s Coffe and Wine” që përfaqësojmë 25 familje, kemi një besim të palëkundur që arbitrariteti nuk është qëllimi i institucioneve tona. Në emër të 25 familjeve që tani janë pa të ardhura, ju drejtohemi juve, si përfaqësuesi më i lartë në qeverinë tonë i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të masave anti-Covid, me kërkesën që do ta përdorni autoritetin tuaj në mënyrë që krahas zbatimit të domosdoshëm të masave anti-Covid të angazhoheni edhe për mbrojtjen e qytetarëve nga veprimet arbitrare. E drejta jonë që faktet tona të shqyrtohen është e patjetërsueshme dhe ju, si bartës i institucionit, keni obligim shtetëror që të garantoni një proces të rregullt.
Me shpresën që kjo gjendje e rëndë të tejkalohet sa më parë, ju urojmë shëndet dhe suksese në angazhimet tuaja.
Me respekt,
Sarah Rexhepi Pula
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments