Mungesa e prokurores Merrushe Llugiqi, e cila është në pushim mjekësor, ka bërë që të dështojë seanca e rigjykimit ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, dhe zyrtari Bersan Kolgeci po akuzohen për korrupsion. Seanca e radhës është caktuar pas 27 ditësh, pra më 9 dhjetor.
Dushi dhe Kolgeci po gjykohen për herë të katërt lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë, pasi që Gjykata e Apelit këtë rast e ka kthyer në rigjykim tre herë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Avni Syla nga zyra e prokurores ka pranuar njoftimin se e njëjta gjendet në pushim mjekësor dhe nuk mund të jetë për seancë.
Në seancë ishin të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, avokatët Skender Musa dhe Leonora Dervishaj.
Po ashtu, për seancë u paraqit edhe dëshmitarja Ramize Thaqi, derisa nuk prezantuan dëshmitarët Arian Zeneli dhe Sejde Tolaj.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty për të enjten e dytë të dhjetorit.
Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast kishte marr aktgjykim dënues tre herë, në vitin 2020, 2018 dhe 2017 derisa rasti pritet të parashkruhet në vitin 2023.
Më 5 shkurt 2020 kishte marr aktgjykim me të cilin kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndaj tyre ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh burg për secilin.
Ndërkaq, në gjykimin e parë, gjykata e shkallës së parë më 13 qershor 2017, Dushin dhe Kolgecin, i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, Haki Ejupin me pesë muaj burg, Edon Hajrullagen me 10.000 euro gjobë.
Mirëpo pas kthimit në rigjykim, i akuzuari Haki Ejupi ishte liruar nga kjo akuzë, vendim ky i cili ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit derisa ishte kthyer në rigjykim për të akzuuarit Dushi dhe Kolgeci.
Në këtë rast i akuzuar për veprën penale “prodhim i ndaluar” kishte qenë Edon Hajrullaga, mirëpo i njëjti me aktgjykimin e vitit 2017 dhe 2018 ishte dënuar me gjobë në lartësi prej 10.000 euro, ndërsa në vitin 2020 ishte marr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.
Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.
Në aktakuzë thuhet se këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale, kështu që këtij subjekti i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.
Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm”, sipas aktakuzës, ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).