Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaProkurorja Ervehe Gashi: Po persekutohem pa asnjë provë dhe asnjë dëshmi

Prokurorja Ervehe Gashi: Po persekutohem pa asnjë provë dhe asnjë dëshmi

Prokurorja e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren, Ervehe Gashi ka mbajtur konferencë për medie, për t’u deklaruar pas akuzave, që i janë bërë në një emision televiziv.

Ajo ka thënë se i gjithë emisioni ka qenë manipulim, me qëllim të dëmtimit të saj dhe familjes.

I dënuari për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, Dardan Hoxha, ditë më parë kishte rrëfyer me një emision televiziv se ka paguar mbi 5 mijë euro mito, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit. Dosja e tij ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi.

“Arsyeja pse ju drejtohem në këtë formë, ka te bëjë me një agjendë të udhëhequr ndaj personalitetit tim si prokurore dhe ndaj familjes sime, me qëllimin e vetëm që të më diskreditojnë në publik, përmes fabrikimit të lajmeve, duke i paraqitur ato si hulumtime televizive. Fjala është për emisionin ‘KallxoPërnime’, me titull ‘Pazaret me hetime’, i cili është transmetuar në TV Dukagjin, me përmbajtje tërësisht të manipuluar me qëllim që të dëmtojnë në punën time. Për ata që e kanë shikuar këtë emision para jush do të shpalosi atë që është vërtetë. Kush do që e ka shikuar emisionin ka mundur të bindet në manipulimin e tij fund e krye”, tha ajo.

Më tej, ajo ka shprehur pakënaqësinë edhe ndaj sistemit prokurorial, meqë të njëjtit nuk i kanë dalë asaj në mbrojtje.

Sipas saj i gjithë hulumtimi është bazuar në dy deklarata të babait e birit.

“Autori i emisionit publikon në mënyrë të censuruar audio që shpërfaqin dhe vërtetojnë faktin se burri im nuk ka qenë fare në dijeni qe dikush në emër të tij ka marrë para për të përmbyll lëndën që unë e ka pasur në punë. Së katërti, vërtetohet dhe nga vet personat që kanë inskenuar këtë ngjarje se nuk kam qenë në dijeni për dallaveret mes personave të përfshirë. Së pesti gjatë emisionit, krimineli i dënuar nga gjykata, Dardan Hoxha e pranon që në shenjë hakmarrjeje ndaj tre prokurorëve dhe gjykatësve me qëllim të hakmarrjes ndaj tyre ka falsifikuar aktgjykime. Së gjashti në emision i dënuari e pranon që krejt këtë inskenim e ka bërë si shenjë hakmarrjeje ndaj meje”, shton ajo.

Derisa ajo mohon të gjitha ato që janë thënë në këtë emision, Gashi theksoi se nga momenti kur ka pranuar këtë lëndë nuk ka qenë në dijeni se personat e përfshirë kanë marrë ryshfet. Sipas saj, kjo lëndë është mbyllur me aktakuzë dhe aktgjykim dënues ndaj Dardan Hoxhës.

“Takimet e burrin tim me Rizanin, Dardanin dhe personat e tjerë kanë qenë për arsye të vetme, se i dënuari Dardan Hoxha ka kërcënuar djalin tim. Në këtë takim ka pasur edhe persona të tjerë, por gazetari nuk e paska kryer hulumtimin e tij në mënyrë të paanshme për t’i ftuar në emision edhe marrë edhe versionet e tyre”, tha ajo.

Ajo e ka përmendur edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit pas publikimit të hulumtimit ka thënë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për vetting.

“Unë jam e gatshme që t’i nënshtrohem Vettingut, në të gjitha shtyllat e parapara. Si sa i përket performancës sime profesionale, pasurisë dhe integritetit tim profesional. Por njëkohësisht pres që t’i bëni ftesë kompetentëve që le t’i përmbahen ligjeve, pra t’i dalin në mbrojtje prokurorëve kur janë cak i sulmeve nga jashtë, me theks të veçantë nga personat e dënuar. Po ashtu ftoj organet e drejtësisë e Prokurorinë e Shtetit që të fillojë hetimin që ku ka ngecur kallëzimi penal për Dardan Hoxhën për këtë çështje, që të shohin se ku ka ngecur kallëzimi penal. theksoi ajo.

Prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se e gjithë kjo është luftë, e që do të jetë kurban për tu dukur në publik se ka filluar pastrimi i sistemit të drejtësisë.

Dardan Hoxha në këtë hulumtim ka ndarë një dosje, ku në bazë të cilave ka edhe materiale ku ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth pesë mijë euro në dorë të Rizam Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin, që sipas Hoxhës ai ia ka kërkuar paratë në emër të Bajram Gashit, burrit të prokurores Ervehe Gashi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments