Prokuroria Speciale ka intensifikuar punën për hetimin e kontratave njëburimore në Qeverinë Kurtin.
Gazeta Nacionale ka mësuar se kjo prokurori është duke i hetuar rreth 1.700 kontrata njëburimore që janë dhënë në këtë mandat qeverisës.
I njëjti burim i ka thënë gazetës se për këtë rast tejet voluminoz janë caktuar tre prokurorë.
“Prokuroria është duke u marrë me rreth 1.700 kontrata njëburimore. Meqenëse rasti është voluminoz, prokuroria ka caktuar tre prokurorë që të merren me rastin. Kontrata që po hetohen janë nga të gjitha institucionet. Prej ministrive, kompanive publike, e deri të agjencitë qeveritare dhe institucionet tjera publike”, ka thënë burimi i gazetës brenda Prokurorisë Speciale.
Intensifikimin e punës së prokurorisë në çështje e tregon edhe rasti i Telekomit të Kosovës. Më 6 nëntor, kësaj kompanie, Prokuroria Speciale i ka kërkuar sqarim për disa kontrata njëburimore.
Rasti e kishte publikuar vet drejtori i Financave në Telekom, Feim Kelmendi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai e kishte kritikuar prokurorinë për këtë rast.
“Me date 6 Nentor 2024 permes nje shkrese kerkon nga Telekomi qe per qellime hetimi te ofrohen ne dispozicion nje numer kontratash, dokumentacion tjeter dhe sqarime lidhur me keto kontrate. Ne parim duket gjithcka ne rregull, prokuroria ka te drejte qe nis hetime per cka do qe dyshon. Por ajo qe eshte teper shqetesues nga kjo qe prokuroria po i cileson si hetime jane 2 ceshtje: 1. Zhargoni qe perdore prokuroria ne shkresa zyrtare eshte gjuha e njejte qe po perdorin politikajt ne studio televizive: pershembull termi “kontrate nje burimore”, ky term nuk eshte term ligjor, termi ligjor eshte Procedure e Negociuar e tenderimit”, duke shtuar se prokuruar nuk duhet përdor terminologji politike.
“Pra, duket qarte qe prokuoria qellimisht perdore terminologji te rrugeve e jo terminologji ligjore gjate hetimeve. 2. Dokumentet se bashku me sqarimet e kerkuara me date 6 Nentor jane pergatitur sipas kerkeses me date 8 (brenda dy diteve) dhe eshte njoftuar kerkuesi qe dokumentet jane te gatshme. Te njejtit njoftuan se dokumentet do te vijne ti marrin diten e hene me date 11 Nentor”, kishte shkruar ai.
Gazeta Nacionale ka qenë e para që ka raportuar se Prokuroria Speciale ka fillua hetimin e kontratave njëburimore. Para 6 muajve, Nacionale ka raportuar se prokuroria këtë hetim e kishte nisur ‘Ex Offixio’, apo sipas detyrës zyrtare.
Tenderët e dyshimtë
Gazeta Nacionale karaportuar vazhdimisht për rritjen e numrit të tenderëve që ishin dhënë në formë të negociuar.
Mbi 117 milionë euro kontratë njëburimore ishin dhënë vetëm në vitin 2023 nga të gjitha institucionet në Kosovë. Kjo kishte shtuar dyshimet për korrupsion, dhe tenderë të organizuar për kompani të caktuara.
Dhënia e një numri të madh të kontratave të tilla ishte evidentuar edhe në raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur gjatë vitit 2023 është 665,768,974.50€, derisa sipas procedurës së kufizuar gjatë vitit 2023 13,176,422.33€. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës konkurs projektimi, gjatë vitit 2022,është 3,037,845.48€, dhe sipas procedures konkurruse me negociata, gjatë vitit 2023 është 112,7540.74€, kurse sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës është 117,258,922.10€ dhe vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur kuotim i çmimeve, gjatë vitit 2023 është 7,799,039.20€. Ndërkaq, sipas procedurës për vlerë minimale, vlera e kontratave të nënshkruara, gjatë vitit 2023,është 2,269,659.05€.”, është thënë në raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Kompania që kishte dhënë më se shumti tendera të tillë në vitin 2023, ishte Korporata Energjetike e Kosovës, në vlerë prej mbi 69 milionë eurove. 15 milionë euro kontrata të tilla të negociuara kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Mbrojtjes ishte e treta me gati 4 milionë e 500 mijë euro tenderë njëburimorë. Komuna e Prishtinës ishte e katërta për kah dhënia e kontratave njëburimore me vlerë 4 milionë e 250 mijë euro.
Telekomi i Kosovës në vitin 2023 dha tenderë njëburimorë në vlerë prej mbi 2 milionë e 700 mijë euro. Kurse, Ministria e Shëndetësisë dha tenderë të negociuar mbi 2 milionë e 300 mijë euro. Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës, Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit dhanë kontrata të tilla në vlerë mbi 5 milionë të gjitha bashkë.
Avazi i dhënies së kontratave të tilla në formë të dyshimtë vazhdoi edhe në vitin 2024. Në periudhën janar-mars kontratat e tilla kapin vlerën e mbi 30 milionë eurove.
Sipas deklaratave nga zyrtarët e LDK-së, që nga ardhja në pushtet e qeverisë Kurti II, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore, në vlerë mbi 240 milionë euro.
Tenderët njëburimorë janë kontrata të cilat u jepen kompanive të caktuara pa shpallje publike. Kontratat e tilla sipas ligjit, duhet të jepen vetëm në raste emergjente. Kjo bëhet kur institucioni vlerëson se ka emergjencë, fton disa kompani të caktuara të dorëzojnë oferatat, mirëpo tenderi nuk është i hapur për të gjitha kompanitë.