Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeProkuroria kërkon paraburgim për Ilir Abdullahun që u arrestua dje si i...

Prokuroria kërkon paraburgim për Ilir Abdullahun që u arrestua dje si i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Ilir Abdullahu, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, i cili u arrestua të dielën në Batllavë, pas 16 vitesh në arrati.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Ilir Abdullahu në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S.

“Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Për arrestimin e Abdullahut ka folur  babai i Triumfit, Shefqet Riza.

Shefqet Riza tha se Ilir Abdullahu është njëri nga kryesorët që ka marrë pjesë në vrasjen e të birit. Për të njëjtin tha se ka qenë “dora e djathtë” e Enver Sekiraqes.

Sipas Rizës, ata së bashku e kanë terrorizuar Prishtinën.

“Organet e rendit e kanë kryer punën e tyre, ai ka qenë i fshehur deri më tani në vende të ndryshme, por megjithatë, drejtësia triumfoi herdo-kurdo, është njeriu kryesor që ka marrë pjesë ky edhe Rrahim Abdullahu kanë qenë dora e djathtë e Enver Sekiraqes, strumbullari i krejt problemit është Enver Sekiraqa, rreth qatij banditi janë mbledh krejt banditët e tjerë që e kanë terrorizu krejt Prishtinën, mos të them edhe Kosovën. Kështu që kam fjalë të mira për policinë, mirë që e kanë arrestu se është një prej pjesëmarrësve kryesor në vrasjen e Triumfit, por strumbullar kryesor është Enver Sekiraqa. Më i keq është nxitësi sesa vrasësi, Enveri është ai që e ka nxitë vrasjen”, tha Riza të hënën.

Babai i Rizës pret nga organet e rendit që Abdullahu të dënohet.

Policia informoi se arrestimi i Ilir Abdullahut u bë në Batllavë të Podujevës.

“I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë. Arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij”, njoftoi të dielën policia.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments