Rundi i parë i zgjedhjeve në Prishtinë i përjashtoi nga gara Uran Ismailin e PDK-së dhe Daut Haradinajn e AAK-së. Por, idetë e tyre ende po përdoren nga Arben Vitia i VV-së. Për “kopjim” të programit, Vitia ka kohë që është akuzuar edhe nga kundërkandidati i tij në balotazh, Përparim Rama i LDK-së. Por, Vitia arsyetohet duke thënë se do të fusë edhe të tjera projekte të mira (të huaja) në programin e tij për kryeqytetin.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë karakterizuar me akuza për kopjime të programit me të cilin kandidatët për kryetarë të komunave, ua kërkojnë votën qytetarëve,
Projektet që Arben Vitia po i prezanton nëpër debate, po dalin se janë projekte që janë ideuar nga kundërkandidatët e tij.
Ishte Përparim Rama i LDK-së, i pari që e akuzoi Vitinë për vjedhje të programit të tij. E tash kur Uran Ismaili i PDK-së dhe Daut Haradinaj i AAK-së, nuk janë më në garë, Vitia po merr pak nga programet e tyre.
Në debatin e sotëm që u zhvillua në mes të Ramës dhe Vitisë, ky i fundit prezantoi një projekt të cilin Uran Ismaili e kishte ideuar gjatë fushatës së tij.
“Një qendër e inovacionit si inkubator biznesi… e cila do të shërbejë për të gjithë të rinjtë që kanë talent të jashtëzakonshëm në shkencat kompjuterike… “, ishte duke thënë Vitia.
E Rama nuk hezitoi ta pyesë Vitinë për origjinalitetin e kësaj ideje.
“A është kjo ide e juaja apo e Uran Ismailit, sepse ai e ka pasur të njëjtin send, inkubatorin…”, pyeti Rama.
Vitia e arsyetoi “vjedhjen” e idesë duke thënë se projektet e mira, të realizueshme dhe ligjore do t’i inkorporojë në programin e tij.
“Atë që e kemi thënë edhe më herët, secili program që ka projekte të mira, të realizueshme, ligjore dhe mund të arrihen e jo fontanë dëshirash, me shumë dëshirë do t’i inkorporoj në programin tim dhe në interes të qytetarit…”, u përgjigj Vitia.
Pak kohë më pas, Vitia bëri edhe një premtim të cilin e kishim dëgjuar më parë. Bëhet fjalë për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, ku ish-kundërkandidati i tij, Daut Haradinaj, kishte premtuar njëjtë.
“Kur jemi tek arti, kultura dhe shkrimtarët… kur jemi tek pjesa e shtatoreve për dëshmorët tanë, ajo çka ne do ta shtyjmë përpara dhe mendoj se është vonuar shumë dhe duhet patjetër… sepse Prishtina e meriton një shtatore të komandantit Adem Jashari, të cilën ne e mendojmë të jetë kjo pjesa në mes të qeverisë dhe parlamentin e Kosovës. Mendoj se afër Skënderbeut në pjesën para parlamentit duhet gjithqysh edhe një shtatore e komandantit legjendar Adem Jasharit”, premtoi Vitia.
Lidhur me këtë çështje, Haradinaj kishte nënshkruar edhe peticionin e Plisave për vendosjen e shtatores së legjendarit Adem Jashari.
Para pesë ditëve, tjetër akuzë kishte shkuar në drejtim të Vitisë për vjedhje të programit. Kësaj here ishte pikërisht kundërkandidati i tij i balotazhit, Përparim Rama.
“Kam planin më të mirin dhe disa herë edhe kandidatët e mi kanë tentuar të kopjojnë planin tim, rastin kemi për qendrën e parkingjeve dhe ridefinimin e qendrës të kryeqytetit, por edhe gjuha e përdorur si un e kam thënë ‘Platformat Urbane’ janë disa fjalë të miat që janë përdorur drejtpërdrejtë në planë programin e ministrit Vitia.”, kishte thënë Rama për Vitinë.
Kryetari i ardhshëm i Prishtinës për katër vitet e ardhshme do të vendoset në rundin e dytë të zgjedhjeve më 14 nëntor.
Në rundin e parë Vitia mori 42,3% të votave, ndërsa Rama mori 29,3% të votave.