Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeProfil: Bota e Mashtruesit Aleksandar Vuçiq

Profil: Bota e Mashtruesit Aleksandar Vuçiq

Aleksandar Vuçiqit është e vështirë t’ia gjesh shokun kudo në politikën botërore. Shumë figura politike, presidentë e kryeministra, shtypi botëror mund t’i identifikojë lehtë, duke e gjetur vetëm një epitet për ta, me të cilin pajtohesh sapo ta lexosh ose jo. Por, kjo nuk vlen në rastin e politikanit serb. “Manipulues”, “Njeri që nuk e thotë të vërtetën”, “Narcisoid”, “I paedukatë” , “Toksik”, “I paskrupulltë”, “Arrogant”, “Populist klasik”, “Lider populist pa karizmë dhe pa kualitete personale”, “Lider i huliganëve”, “Banal” dhe “Anëtar i kuartetit, Putin, Orban e Erdogan”. Këto janë vetëm disa nga kualifikimet që i bëjnë figura të pavarura në Serbi kur u jepet rasti të flasin për Vuçiqin, e këtë mundësi nuk e kanë shpesh, pasi shefi i shtetit serb kontrollon pothuajse të gjithë skenën mediale serbe.

Për Vuçiqin nuk mund të thuash 100 për qind se është një diktator si Putin ose Lukanshenko që burgos, persekuton apo vret e helmon kundërshtarë. Ai kontrollon komplet aparatin e shtetit dhe shërbimet sekrete serbe, por si manipulant i përkryer Vuçiq ka lënë pak demokraci në vendin e tij dhe zëra opozitarë që, megjithatë, dëgjohen atje. Mbase duke e ditur që Europa nuk do t’ia miratojë të gjitha veprimet, ai ka lënë çelë disa dritare.

Por, të kthehemi tek personi apo personaliteti i Vuçiqit.

Në secilën situatë sundimtari serb i ka së paku 3-4 fytyra. Ai di të paraqitet vizionar që po lufton me atomin e fundit për ta çuar Serbinë drejt një përparimi, që po bën çmos për të sjellë investime në Serbi. Vuçiq luan rolin e të mëshirshmit kur këtë e konsideron të nevojshme, flet butë për kundërshtarët në stilin ‘ata po më godasin, unë ua kthej edhe faqen tjetër’.

Pas një minute, Vuçiq di të vendos një maskë tjetër duke i sulmuar ashpër kundërshtarët dhe duke u paraqitur se është i gatshëm të ballafaqohet edhe fizikisht me secilin “për të mirën e Serbisë”.

Vuçiq ka bërë edhe “çuda” tjera, ka shpikur atentate, ka gënjyer se puna intensive për t’i siguruar popullit serb një të ardhme më të mirë i ka shkaktuar probleme me zemër.

Tutje, Vuçiq brenda një dite di të paraqitet se është “pëllumbi” i rajonit, i denjë për Çmimin Saharov dhe brenda një dite të kërcënojë fqinjët, përfshirë edhe Kosovën, se nuk mund të luajnë me Serbinë se tani ajo është e fortë.

Kur Qeveria e Kosovës nuk u pajtua që zgjedhjet serbe të mbahen në përputhje me praktikat e deritashme, Vuçiq ftoi serbët e Kosovës dhe i shtyu ata të thonë publikisht se “ne deshëm të largohemi nga institucionet e Kosovës, por me këtë nuk u pajtua Presidenti Vuçiq” dhe se ky ishte “mospajtimi i parë” ndërmjet tyre.

Vuçiq është zotuar disa herë para serbëve se nuk do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës. Në një tekst të botuar në mediat serbe “Ja si e shoh Serbinë më 2025”, serbëve u foli kryesisht për ekonomi: buxhet dhe projeksione për rritje të pagave. Në janar, kur Serbia mbajti referendum për ndryshime në sferën e gjyqësorit, Vuçiq u akuzua se po e përgatit terrenin për referendum, me të cilin Kosova do të hiqet nga Kushtetuta e Serbisë.

Por, edhe këtu Vuçiq, mashtron. Deri më tani, ai ka ndjekur mantrën e tij “nuk mundet njëra palë t’i fitojë të gjitha, e tjetra t’i humbë të gjitha”.

Politikani serb nganjëherë shfaqet si trim i paepur, herën tjerë si një djalosh fytyrëskuqur që thotë se ka tremë kur flet me publikun serb.

Vuçiq, që propaganën e ka specialitet edhe kur ka ushtruar pozita të larta shtetërore si posti i Ministrit të Informacionit, nuk ka rast kur flet në media që mund ta sfidojnë, zgjedh gazetarë të nënshtrueshëm për të siguruar gjithmonë paraqitje dhe debate që i fiton lehtë, herë duke u paraqitur i qetë e modest, e herë si një luan që nuk do t’ia prish askush terezinë. Aleksandri është i papërsëritshëm në vardisjen ndaj liderëve në botë. Këtë e ka shfaqur në rastin e Merkelit, Putinit, kinezit Xi e Erdoganit të Turqisë.

Ka disa raste kur opinionit serb i ka thënë se për shkak të Merkelit po e mëson gjermanishten dhe se ka tremë para takimeve me të.

Putinit i flet rusisht në takime për t’iu vardisur në një shkallë të paparë, kur shkon të flasë për çmimin e gazit, ndërsa për kinezin Xi e potencon se për një kohë të shkurtër e ka takuar 12 herë.

Për raportin e tij me Erdoganin vlen të përmendet rasti i fundit, kur tha se po përgatit notë proteste për shkak të deklaratës së Erdoganit për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Pas një telefonate me të, Vuçiq hoqi dorë.

Vuçiq që nga viti 2015, kur është bërë Kryeministër, ka luajtur me dy karta edhe me amerikanët.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby e kujton mirë këtë në një intervistë për Zërin e Amerikës vitin e kaluar.

“Me vite kemi punë me Vuçiqin. Unë kam ardhur në Serbi para se ai të bëhej kryeministër. Pastaj u bë Kryeministër e më pas edhe President. I ka dhënë premtime të caktuara në Shtëpinë e Bardhë Zëvendëspresidentit të atëhershëm, të cilat nuk i ka përmbushur dhe ndoshta tani është koha që ta bëjë këtë”, ka thënë ai.

Vuçiq, që është i biri politik i Vojislav Sheshelit, një ultranacionalist serb që kishte rrokur edhe armët kundër popujve të tjerë gjatë viteve ‘90, njihet edhe për deklaratën e famshme të tij se për 1 serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë.

Por, për ta bërë portretin e viktimës me të cilin relativizon krimet e forcave serbe kudo në ish-Jugosllavi, Vuçiq ka nxjerrë shpesh tregimin personal duke thënë se ustashët ia kanë vrarë dhjetëra anëtarë të familjes së tij.

Nën mbështetjen e heshtur të Vuçiqit, politikanë të caktuar serbë si Milorad Dodik kanë ndryshuar kursin politik, duke tentuar të destabilizojnë shtete fqinje, si puna e Bosnjë e Hercegovinës. E poltroni i tij, Aleksandar Vulin, lobon dhe mban gjallë idenë e “Botës Serbe” o modeluar sipas “Botës Ruse”, për çka në Beograd zyrtarisht thonë se nuk ka qëllime ekspansioniste, por vetëm kujdesi për serbët në ish-republikat jugosllave.

Vulin është një ndër figurat që ka për detyrë të jetë pjesë e garës bashkë me ministrin e Jashtëm Nikola Selakoviq, dikur Marko Gjuriqin, se cili po flet fjalë më të mira për shefin. Vuçiq shihet duke u argëtuar me përkdheljen që i bëjnë zyrtarët që i mban të nënshtuar afër vetes.

Me këtë qasje ndaj politikës dhe serbëve, Vuciq ka arritur të fitojë për herë të dytë zgjedhjet presidenciale në Serbi. Po ashtu, me partinë e tij doli fitues edhe në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme, të cilat i programoi vetë para dy vitesh, duke ia shkurtuar mandatin qeverisë në mënyrë arbitrare, sigurisht për llogari të tij.

Të dielën mbrëma, kur doli në foltore për të shpallur fitoren, në stilin e tij herë krenar e herë duke u ankuar, Vuçiq tha se me gjasë do të jetë serbi që ka qëndruar më së gjati në pushtet që prej kohës së Mbretit Nikola Pashiq.

Media të rëndësishme ndërkombëtare ia kujtuan Vuciqit të dielën se lehtë do t’i fitojë zgjedhjet, por sfida e tij do të fillojë një ditë pas triumfit.

“A mundet Vuçiq të jetë miqësor edhe me Moskën, edhe me BE’në pas invazionit rus të Ukrainës”?

Kur të dielën mbrëma doli për të shpallur fitoren, Vuçiq la të kuptohet se do të vazhdojë me të vjetrën, duke mos u çkapur nga Rusia.

“Për Serbinë më e rëndësishmja është që të ketë raporte të mira në rajon, ta vazhdojë rrugën e saj europiane, por njëkohësisht të mos i prishë lidhjet me miqtë tradicionalë”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments