
Disa qytetarë të Prishtinës kanë paralajmëruar protestë më 14 janar për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.
Njoftimi për protestën u bë nga faqja “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë” në Facebook, ku raportohen problemet e ndryshme të kryeqytetit.
Rruga “Xhorxh Bush” është shndërruar në shesh për këmbësorë dhe vijon të jetë e mbyllur për autobusë dhe vetura.
“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballuar një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kollonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes”, thuhet në njoftim.
“Data e protestës është 14.01.2024, ku pritet të mblidhemi në pikën e mbylljes së rrugës Xhoxh Bush në një shenjë solidariteti dhe thirrje për veprime. Protesta do të fillojë në orën 12:00 dhe do të mbahet në mënyrë paqësore. Ju lutemi të bashkoheni në këtë thirrje për hapjen e rrugës dhe për zgjidhjen e problemit të trafikut që ka prekur komunitetin tonë për një kohë të gjatë”, kanë bërë të ditur “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë”.
Në posterët për protestën shihet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ka një mbishkrim: “Ne nuk jemi popull dele që pranon të heshtë në prani të sfidave dhe problematikave të kryeqytetit tonë”.

