Monday, November 25, 2024
HomeSportPrishtina si gjithmonë e bën ligjin në Kupën e Kosovës, mposht Gjilanin...

Prishtina si gjithmonë e bën ligjin në Kupën e Kosovës, mposht Gjilanin në finale – tani në pritje të licencimit për garat evropiane

Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës, pasi në finale mposhti Gjilanin me rezultat komod 2-0.

45 minutat e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk sollën gola, përkundër rasteve që kishin dy skuadrat.

Dy ekipet e nisën me kujdes të shtuar këtë duel, duke synuar të fitonin nga gabimet.

Përfundon pjesa e parë e Kupës së Kosovës mes Gjilanit dhe Prishtinës

Me kalimin e minutave, Prishtina tregoi më shumë nga loja e tyre dhe krijuan më shumë raste.

Endrit Krasniqi lëshoi një goditje të fortë në minutën e 38-të, mirëpo u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.

Nga një goditje nga këndi për kryeqytetasit, topi u largua nga lojtarët e Gjilanit që krijuan një mbrojtje të ngjeshur.

Në minutën e 48-të, Prishtina fitoi një gjuajtje të lirë, por Endrit Krasniqi nuk ishte i saktë, pasi topi shkoi mbi portë.

Reklama

Edhe pjesa e dytë nisi qetë, por me kalimin e minutave – ritmi i lojës filloi të ngritej.

Prishtina ishte më kërkuese dhe ia doli të realizonte golin e epërsisë.

Ishte minuta e 67-të e takimit, kur zëvendësuesi Genc Hamiti i kaloi bardhëekaltrit në epërsi, duke elektrizuar tifo-grupin “Plisat” që ishin në stadium.

U pa qartë se loja ka filluar të rritet në tempo, me Gjilanin që synonte t’i barazonte shifrat.

Në minutën e 74-të, skuadra gjilanase kërkoi penallti për lojë me dorë nga një lojtar kundërshtar, por VAR-i bëri të ditur se loja duhej vazhduar.

Mirëpo, për të shuar shpresat e tyre për trofeun u përkujdes Mergim Pefqeli, që realizoi një super gol nga distanca në minutën e 76-të për rezultatin 2-0.

Reklama

Gjilani mendoi se kishte shënuar me anë të Mevlan Zekës në minutën e 88-të, por dhoma e VAR-it bëri të ditur se sulmuesi kishte qenë në pozicion jashtë loje.

Prishtina e mbajti epërsinë komode ndaj kundërshtarit, për të fituar trofeun e dytë më të madh në elitën e futbollit kosovar.

Me rregullore, fituesi i trofeut kualifikohet për në Ligën e Konferencës, mirëpo klubi nga kryeqyteti ende nuk është licencuar dhe këtë duhet ta bëjë sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që të marrë pjesë në kompeticion. /Telegrafi/

Promo

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments