Qytetarët të cilët gjatë natës kanë raste urgjente dhe u duhen barnat, e kanë vështirë t’i gjejnë ato, pasi që nuk ka barnatore të cilat punojnë 24 orë. Ende nuk ka një rregullore për punën e barnatoreve në kryeqytet.
Qytetarët e shumë lagjeve të kryeqytetit u duhet të enden natën, nëse kanë nevojë për të gjetur një ilaç. Derisa në lagjen Dardania ka disa një apo dy barnatore të cilat punojnë deri në orët e vona të natës, shumë lagje në kryeqytet pas orës 21 nuk kanë fare barnatore të hapura.
Vjollca Leci e cila jeton në lagjen Mati 1, thotë se në pjesën ku ajo jeton gjatë natës nuk ka asnjë barnatore që punon.
E drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku ka thënë për “Indeksonline” se tani për tani nuk ka barnatore të cilat punojnë 24 orë, pasi që në bazë të rregullores orari i tyre është nga ora 7 deri në ora 22. Por thotë se janë vetëm disa barnatore një ose dy, të cilat punojnë deri në orët e vona, por jo 24 orë.
Sipas tij shumë shpejtë pritet që të miratohet rregullorja e re për orarin e kujdestarive të barnatoreve në kryeqytet.
“Në Prishtinë nuk ka fare barnatore, të cilat punojnë gjatë natës. Ne një rregullore të komunës, thuhet se barnatoret duhet të punojnë nga ora 7 deri në orën 22. Për festa dhe vikende drejtoria e shëndetësisë bënë një orar për kujdestari të barnatoreve. Për këtë arsye ne e kemi formuar një grup punues dhe jemi duke e përgatitur një rregullore, e cila shumë shpejtë do të kaloj, do të jetë në debat publik dhe do të aprovohet në asamblenë e kryeqytetit për orarin e kujdestarive. Realisht ne i kemi involvuar në këtë iniciative, të gjithë akterët, Odën e Farmacistëve të Kosovës edhe Shoqatën e Farmacistëve, me qëllim që të gjithë akterët t’i japin mendimet e veta dhe shumë shpejtë do ta kemi orarin e barnatoreve në kryeqytet. Besoj që kjo rregullore do të aprovohet shumë shpejtë besoj gjatë muajit korrik “, tha Sadiku.