Presidenca e Kosovës është ngutur t’i marrë meritat për donacionin e vaksinave kundër COVID-19 që SHBA-të do t’ia japin Kosovës.
Shefi i kabinetit të Osmanit, Blerim Vela në një postim në Twitter, ka thënë se ky vendim ka ardhur pas letrës që Osmani ia ka shkruajtur Bidenit për këtë çështje, shkruan lajmi.net.
“Angazhimi aktiv dhe i koordinuar me aleatët gjithmonë ka dhënë rezultate për Kosovën. Pas letrës së presidentes Osmani për presidentin Biden, është vendosur që Kosovës t’i jepet donacion me vaksina. Ato arrijnë në javët e ardhshme”, ka shkruar ai.
Mirëpo, SHBA-të nuk është se vaksina do i japin vetëm Kosovës.
Shtëpia e Bardhë vetëm se ka publikuar planin për shpërndarjen 25 mijë dozave të para të vaksinave, rreth gjashtë milion vaksina nga kjo pjesë e parë janë ndarë për vendet mike të SHBA-së dhe që janë më prioritet për ata, këtu hynë edhe Kosova.
“Përafërsisht 6 milionë doza do të jenë për vendet e rajonit që janë prioritet dhe vendet partnere, përfshirë Meksika, Kanada dhe Republika e Koresë, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Ukraina, Kosova, Haiti, Gjeorgjia, Egjipti, Jordania, Iraku dhe Jemen, si dhe për punëtorët e vijës së frontit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Aty tutje thuhet se 19 milionë doza të vaksinave do të ndahen nëpërmjet programit COVAX.
“Përafërsisht 6 milionë doza janë për Amerikën Jugore dhe Qendrore për vendet e mëposhtme: Brazil, Argjentinë, Kolumbi, Kosta Rika, Peru, Ekuador, Paraguai, Bolivi, Guatemala, El Salvador, Honduras, Panama, Haiti dhe vendet e tjera të Komunitetit Karaibe (CARICOM), si dhe Republika Dominikane”.
“Përafërsisht 7 milionë doza janë për Azinë në vendet e mëposhtme: Indi, Nepal, Bangladesh, Pakistan, Shiri Lanka, Afganistan, Maldive, Malajzi, Filipine, Vietnam, Indonezi, Tajlandë, Laos, Papua Guinea e Re, Tajvan dhe Ishujt Paqësor. Përafërsisht 5 milionë doza janë për Afrikën që do të ndahen me vendet që do të zgjidhen në koordinim me Bashkimin Afrikan”, thuhet tutje në njoftim.