Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën gjatë luftës, Wolfgang Petritsch dhe publicisti që ka qenë pothuajse në të gjitha proceset negociuese me Serbinë, Veton Surroi, edhe sot janë angazhuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Të dy kanë shprehur shqetësimet e tyre për disa prej problemeve në këto bisedimeve.
Diplomati veteran austriak, Wolfgang Petritsch e njeh mjaft mirë kontekstin e mosmarrëveshjeve historike Kosovë-Serbi. Ai në vitet e luftës 1998-1999 ishte përfaqësues special i Bashkimit Europian për Kosovën. Ai gjithashtu kryesoi ekipet negociuese të BE-së në shkurt dhe mars 1999 në bisedimet e paqes për Kosovën në Rambuje dhe Paris.
Edhe pse jo më formalisht, Petritsch duket se mbetet i angazhuar në çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe sot. Ai zbuloi të enjten se së fundmi ka pasur një takim në Vjenë me kryeministrin Albin Kurti dhe se ka biseduar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Për këtë takim, shefi i Qeverisë së Kosovës nuk ka njoftuar.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Petritsch tha se pas kaq shumë vitesh “është një moment kur duhet të reflektojmë”. Në këtë pikë ku gjendemi, në fundin e vitit 2023, pas shumë vitesh negociata me angazhim aktiv të bashkësisë ndëkombëtare, ai tha se “ende nuk po mund të shohim se cili do të jetë fundi i vërtetë të këtij angazhimi ndërkombëtar”.
“Së fundi jam takuar me Kryeministrin Kurti në Vjenë, po ashtu me (të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel) Escobar kemi biseduar për një orë dhe së shpejti do të takoj Ambasadorin (amerikan në Beograd, Chris) Hill. Po flasim për këtë situatë dhe përshtypja ime është që dyja palët, në Beograd si dhe në Prishtinë, ndjenja është që ndoshta që ky përshkallëzim ishte i tepruar dhe duhet të ulim tensionet, që është e domosdoshme. Nuk mundet vetëm bashkësia ndërkombëtare të kujdeset për sigurinë në rajon. Duhet gjetur partnerë për bashkëpunim të përgjegjshëm në planin e sigurisë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në veçanti. Na duhet t’ua bëjmë të qartë aktorëve kryesorë – Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti – se ata duhet të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe Bashkimit Evropian që tani është shumë e rrezikuar nga dy luftrat”, ka thënë Petritsch.
Ai beson se”nuk do të shohim ndonjë përparim përsa i përket zgjidhjes diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për këtë çështje.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është bërë çështja kryesore në dialog, Petritsch thotë se shqetësimet “janë të bazuara”, por pyet se “si duhet të tejkalohen?”.
“Kjo është çështja kryesore dhe mendoj se shqetësimet tejkalohen në formën ligjore dhe në aspektin praktik, duke u siguruar njëzëri me bashkësinë ndërkombëtare se asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe. Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtat një shteti, sikur në rastin e Bosnjës. Prandaj, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë. Por besoj se pakicat serbe në Kosovë duhet dhënë të drejta kulturore, disa aspekte ekonomike dhe të drejta të tjera në arsimim, shëndetësi. Duhet ta keni parasysh që aktualisht në Kosovë hynë shumë para, pa transparencë, nga Beogradi. Përmes një asociacioni të këtillë, këto para duhet të regjistrohen dhe të kalojnë nëpër institucionet e Prishtinës. Me krijimin e asociacionit, Prishtina do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë këtë pjesë të Kosovës, që natyrisht i takon shtetit. Por ekziston një pakicë dhe kjo pakicë duhet të ketë të drejta të caktuara”, ka thënë ai.
Në kryeqytetin e Austrisë, aty ku u takuan Petritsch, Kurti e Escobar, Veton Surroi kishte qenë disa herë si kryetar i delegacionit shqiptar në negociatat pë statusin e Kosovës para pavarësisë.
Surroi sot është i angazhuar si konsulent i jashtëm në këshillimin e kryeministrit të Kosovës për çështjet e bisedimeve me Serbinë. Ka qenë edhe pjesë e ekipit negociator të Kosovës në bisedimet për paqe në Rambuje më 1999.
Publicisti tha para një jave se draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga ndërkombëtarët përmban pushtet të tretë në Kosovë.
“Po të shkonte nëpër filtër kushtetues do të jetë, besoj unë, do të kalonte pa vërejtje shumë substanciale. E vërejtja substanciale më e madhja është, a ka nevojë apo jo për një trup të tretë të pushtetit në Kosovë, dhe kjo është pyetja e cila e përcjell Kosovën prej vitit 2013”, ka thënë Surroi para një jave në RTV Dukagjini.
Në draftin e propozuar, Surroi thotë se “është marrë parasysh Marrëveshja e vitit 2013, është marrë krejtësisht Marrëveshja e vitit 2015, janë adaptuar sygjerimet e Gjykatës Kushtetuese të Aktgjykimit lidhur me Marrëveshjen e vitit 2015”.
Për mospublikimin e propozimit për Asociacionit, Surroi nuk ka dashur të flasë.
“Meqë jam konsulent i jashtëm i një pjese të qeverisë, nuk mund të jap mendime. Nuk do të ishte e drejtë dhe mendimi im do të ishte i paragjykuar”, ka thënë ai.
Por nuk ka hezituar të tregojë se është “kundër projektit për vendosjen e një autonomie territoriale ashtu siç ishte parapa në vitin 2013”. Por, siç thotë ai, refuzimi do të jetë i vështirë pasi ka theksuar se “kemi të bëjmë me një projekt të cilin Kosova e ka shndërru në ligj të vetin”, duke përmendur ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend në vitin 2013. “Themelimi i Asociacionit është shndërruar në obligim të brendshëm”, ka thënë ai.