Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaPolitikbërja me udhëtime luksoze

Politikbërja me udhëtime luksoze

Shoqëria civile po i konsideron të papranueshme udhëtimet me aeroplan me bileta të klasës së parë të zyrtarëve në Kosovë.

Ata thonë se shpenzimi i qindra e mijëra eurove për bileta të klasave më të larta se ato ekonomike bie ndesh me standardin në të cilin jetojnë qytetarët.

Besnik Boletini, hulumtues në organizatën joqeveritare “Çohu”, i konsideron keqpërdorim të parasë publike blerjen e biletave të udhëtimit në klasë të parë e biznes klasë.

“Një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve, paratë publike i shohin si të huaja dhe kur të vjen mundësia i shfrytëzojnë maksimalisht dhe jo në mënyrë racionale. Ata bëjnë luks me para të shtetit”, thotë Boletini.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Kosovë në raportin e auditimit për shërbimet e transportit ajror në disa institucione të Kosovë ka vënë në pah se zyrtarët e institucioneve të Kosovë kanë udhëtuar me bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike duke krijuar shpenzime më të larta se që i kanë planifikuar.

Kjo është një gjetje e ZKA-së për periudhën 2016-2019, i publikuar më 26 tetor 2021.

Ky auditim i është bërë zyrës së kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë edhe Policinë e Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe komunave: Gjilan, Gjakovë, Vushtrri dhe Suharekë.

Në këtë periudhë, institucionet e Kosovës drejtoheshin nga ish-kryeministri, Isa Mustafa në vitet 2014-2017 dhe Ramush Haradinaj, gjatë periudhës sa ishte kryeministër më 2017-2020.

Institucionet e audituara duke bërë udhëtime në klasë të parë dhe biznes klasë, kanë blerë deri në gjashtë herë më shtrenjtë bileta sesa çmimet që ishin për biletat e klasës ekonomike.

Për 36 muaj, këto institucione kishin parashikuar të blinin rreth 11,933 bileta me çmim mesatar prej 400 euro për biletë me vlerë të kontraktuar mbi 4.7 milionë euro. Por, shfrytëzuesit e kontratës ishin furnizuar me 279 bileta më pak, por që vlera e realizuar e kishte kaluar atë të kontraktuara për afër mbi 1 milion euro.

“Kjo nënkupton që mesatarja e çmimit për biletë nuk ishte 400 euro siç e kishte parashikuar Agjencia Qendrore e Prokurimit, por në fakt ishte 503 euro për biletë. Pra, Organizatat buxhetore të institucioneve të audituara mesatarisht kanë paguar 103 euro më shumë për çdo biletë të blerë”, thuhet në raport.

Bazuar në gjetjet e auditimit rezulton se tre faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve.

Besnik Boletini, hulumtues në organizatën joqeveritare “Çohu”, thotë se derisa, ata zyrtarë mund të udhëtojnë në klasë ekonomike, shpenzimet për bileta të klasës së parë dhe biznes klasë janë të panevojshme.

Në një nga vendet më të varfra në Evropa, siç është Kosova, Boletini, thotë se zyrtarët e shtetit do të duhej të ishin më të kujdesshëm kur shpenzojnë buxhetin e shtetit, për këto lloj shpenzimesh.

Dallimi në çmim mes klasës ekonomike dhe klasave tjera

Në krye të listës së përdoruesve të shërbimeve të transportit ajror ishte Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ).

Vetëm në një rast, tek Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), auditimi kishte gjetur se kishte shpenzuar 273,408 euro për 147 bileta, të cilat sipas klasës nuk i takojnë asaj ekonomike.

Në raport thuhet se kryesisht këto bileta ishin blerë për ministrin e Punëve të Jashtme, njëkohësisht edhe zëvendës-kryeministër, si dhe për zyrtarë të huaj që ishin ftuar për të marrë pjesë në organizime të ndryshme shtetërore.

Çmimi mesatar për biletë për udhëtimet e ministrit ishte 2,707 euro. Ndërkaq, bileta më e shtrenjtë e cila është paguar për të, kishte kushtuar 8,222 euro për udhëtimin në relacionin Frankfurt-Hong Kong.

Shumica e udhëtimeve të ministrit të Punëve të Jashtme ishin me biznes klasë.

Ministër në atë kohë ishte Behxhet Pacolli. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Pacollin lidhur me këtë çështje, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Por, Zyra e Auditorit konfirmon se ka marrë letër konfirmimi nga kjo ministri lidhur me këto shpenzime, ku thuhet, “se nuk kanë ndonjë koment për përmbajtjen e raportit dhe se pajtohen me rekomandimet e dhëna”.

Në një rast tjetër, raporti i Auditorit ka gjetur se një biletë për udhëtimin Prishtinë-Pekin (Kinë) për klasë ekonomike ishte paguar 1,523 euro, derisa për udhëtimin në klasën biznes, në të njëjtën datë dhe destinacion, ishte paguar 3,623 euro apo 2,100 euro më shumë.

Auditori në raport thotë se nëse 212 biletat e klasave më të larta se klasa ekonomike të blera në vlerë 353,695 euro, do të bliheshin në klasën ekonomike, ato do të kushtonin 123,793 euro. Kursimi total në këto bileta do të mund të arrinte së paku në 229,900 euro.

Për të gjeturat e këtij raporti , Zyra e Auditorit të Kosovës ka bërë të ditur se me përjashtim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët nuk kanë kthyer përgjigje, institucionet tjera të audituara janë pajtuar me gjetjet dhe janë zotuar se do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna.

Zyra e Auditorit ka rekomanduar organizatat buxhetore të këtyre institucioneve që të përdorin klasën ekonomike për t’i shmangur shpenzimet e larta të transportit ajror, si dhe të planifikojnë udhëtimet më mirë në mënyrë që të shmangin nevojën për anulime dhe shtyrje të udhëtimeve.

Shoqëria civile: Po keqpërdoren paratë e shtetit

Ardi Shatri nga Organizata joqeveritare “Fol”, thotë se duhet bërë ndryshime të udhëzimeve apo rregulloreve për të përcaktuar saktë se kush mund të udhëtojë me bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike.

“Nëse kanë qenë zyrtarë civilë nuk ishte dashur të jetë bileta e klasës së parë, ata duhet udhëtuar me bileta të klasës ekonomike. Shumë shpesh udhëtimet zyrtare që ndodhin bëhen të paplanifikuara mirë për të gjetur biletë më të lirë, por dhe bëhen në momentin e fundit dhe udhëtojnë edhe me biletë të klasës së parë. Teknikisht nuk është dashur të ndodhë”, thotë ai.

Edhe auditorja e përgjithshme në Kosovë, Vlora Spanca, me rastin e publikimit të këtij raporti ka deklaruar “se rezultatet e këtij procesi të auditimit tregojnë se ka nevojë për përmirësime në procesin e furnizimit me shërbime të transportit ajror”.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të blerjes së shërbimeve të transportit ajror dhe shfrytëzimit më racional të buxhetit, ZKA ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që të adresoj çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit në transport ajror, duke specifikuar rastet dhe funksionet që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm.

Kosova është një nga vendet më të varfra në rajon. Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments