Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaPolicia: Gjendja në veri i është kthyer normalitetit

Policia: Gjendja në veri i është kthyer normalitetit

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë se rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim dhe se gjendja i është kthyer normalitetit.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim.

Të shtunën, më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pjesëtarët e KFOR-it e kanë marrë kontrollin në këto dy lokacione.

 

Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me mandatin që ka.

Ushtarët e NATO -s patrullojnë pranë kufirit midis Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë më 2 tetor 2021.

Policia e Kosovës tha se në orët e mbrëmjes të së shtunës (2 tetor) ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, vizituan zyrtarët policorë në kampin Belvedere, të cilët ishin në detyrë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ata kërkuan nga të njëjtit që të vazhdojnë punën dhe detyrat e tyre policore në shërbim të vendit dhe qytetarëve në mënyrë profesionale, ashtu siç është dëshmuar gjatë këtyre trembëdhjetë (13) ditëve, duke mos rënë pre e asnjë provokimi të kryer në forma të ndryshme nga ana e protestuesve”, thuhet në njoftim.

Më vonë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Sveçla tha se “Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim”.

Të shtunën u plotësua pika e parë e marrëveshjes për zgjidhjes e situatës së fundit në veri.

Në marrëveshjen e arritur në Bruksel parashihet zbatimi edhe i dy pikave tjera. Njëra parasheh që palët duke filluar nga 4 tetori, të nisin së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Ndërkaq, pika e fundit parasheh që më 21 tetor të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments