Policia e Kosovës ka arsyetuar arrestimin e të moshuarit në Vushtrri, pasi që pati reagim nga shoqëria civile me mënyrën e arrestimit.
“Derisa njësia e hetimeve Regjionale-Mitrovicë kishte qenë duke patrulluar në bulevardin ‘Adem Jashari‘ në Vushtrri në zbatim të planit operativ Covid -19, kishte hasur në një person i cili nuk e kishte pasur të vendosur maskën mbrojtëse dhe nga i njëjti kanë kërkuar që ta vendos maskën mbrojtëse bazuar në vendimin për masat mbrojtëse nga pandemia”, thuhet në komunikatë.
Tutje, policia tregon se i arrestuari kishte refuzuar të vërë maskën apo të tregonte ndonjë dokument identifikues.
“Personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues (letërnjoftimin) të kërkuar nga zyrtarët policorë. Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor”.
Pas arrestimit, qytetari është dërguar për intervistim dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
“Zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin veprime ligjore duke e vënë nën kontroll personin, të cilin pastaj e kanë dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme. Bazuar në informatat zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës, personi në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale”.
“Në konsultim me gjyqtarin ndaj të njëjtit është iniciuar rasti “Mosrespektim i urdhrit të policit (PRQP)”, ku pas intervistimit rasti vazhdon procedurë të rregullt, për trajtim të mëtejme nga gjykata kompetente”