Tuesday, November 19, 2024
HomeLajmeKosova“Po vijmë për Krishtlindje”, shfaqen postera me flamurin e Serbisë në veri

“Po vijmë për Krishtlindje”, shfaqen postera me flamurin e Serbisë në veri

Në katër komunat e veriut të Kosovës të martën janë shfaqur postera me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mesazhin “Po vijmë për Krishtlindje”.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që rasti të mos hetohet, pasi “nuk ka rast”.

Krishtlindja ortodokse festohet më 7 janar.

Shfaqja në veri e postareve të tillë apo grafiteve me mesazhe që bëjnë thirrje për kthimin e Ushtrisë Serbe në Kosovë ose thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është diçka e re.

Policia deri më tani i ka hetuar këto raste, por publiku nuk është njoftuar nëse dihet kush qëndron pas tyre.

Në fillim të qershorit u shfaq një pamflet me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin: “Komandant suprem, po të presim”.

Më herët, në shkurt, persona të panjohur lanë fletëpalosje në ndërtesat e Mitrovicës së Veriut me thirrje për rezistencë, të cilave u paraprinë edhe mbishkrimet grafiti si, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Qeveria e Kosovës i shpalli “Brigada e Veriut”, dhe “Mbrojtjen Civile”, organizata terroriste në fund të qershorit 2023, për shkak të bindjes se pjesëtarët e saj morën pjesë në sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës, raporton REL.

Gjithashtu, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, në Mitrovicën e Veriut u shfaq një grafit me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Përndryshe, Brigada e Veriut ka filluar të shkruajë grafitet me mesazhe si “Mos u shqetësoni, jemi këtu, po presim” dhe të ngjashme që nga nëntori 2022, kur pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments