Enver Krasniqi, kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës, ka folur për T7 dhe Gazeta Express lidhur me atë që po ndodh me ekipin e boksit të Kosovës, pasi nuk u lejuan të hyjnë në Serbi me simbole shtetërore.
Ai zbuloi se i është kërkuar ekipit të Kosovës që të marrim pjesë me fanella të AIBA-s.
Krasniqi tha se do ta pranonin diçka të tillë nëse në botëror, të gjitha shtetet do të veprojnë ngjashëm.
“Është duke na u kërkuar që të largojmë simbolet tona, në mënyrë që të lejohemi të marrim pjesë siç janë fanellat, ne nuk pranojmë me marrë pjesë në kësi kushte, me fanella të AIBA nuk pranojmë të marrim pjesë vetëm ne, veç nëse me ato fanella marrin pjesë të gjitha shtetet pjesëmarrëse”, tha ai.
Krasniqi konfirmoi për T7 dhe Express se Federata e Boksit e Shqipërisë ka paralajmëruar tërheqjen, nëse Kosova nuk lejohet me të drejta të barabarta.
“Federata Boksit e Shqipërisë ka paralajmëruar se nëse ne nuk lejohemi as ata nuk marrin pjesë”, deklaroi ai.