Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një mënyrë për ta arritur marrëveshjen.
“Të gjejnë mënyrën e vazhdimit të dialogut, respektimin e marrëveshjeve. Kroacia është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë”, tha Plenkoviq.
Plenkoviq, gjatë vizitës së tij në Kosovë tha se shteti i tij është partner i madh i Kosovës në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe liberalizimit të vizave.
Ai deklaroi se të dy vendet do të angazhohen për bashkëpunim ushtarak.
I pyetur se a duhet Serbia të shkojë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës, ai ka theksuar se në fund duhet të vijë edhe deri pika e njohjes reciproke Prishtinë-Beograd.
Tutje, Plenkoviq është shprehur se e përkrahin tërësinë territoriale të Kosovës, por edhe njohjen me Serbinë.