Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, e ka pranuar se gjendja në klubin katalonas është shumë e keqe, pas një ndeshjeje tjetër ku skuadra e Xavit lëshoi pikë në barazimin 2:2 me Osasunan të dielën.
Osasuna ia doli ta barazojë dy herë rezultatin në të dy pjesët falë golave nga David Garcia dhe Chimy Avila, pasi Nico dhe Abdessamad Ezzalzouli e kishin kaluar skuadrën e Xavit në epërsi me golat e tyre të parë për katalonasit.
Barcelona vinte nga një humbje e hidhur kundër Real Betisit në ndeshjen e kaluar por dështoi të kthehej në binarët e fitores në Pamplona.
Si pasojë, Barça ngel në vendin e tetë në La Liga me 24 pikë, plot 18 pikë larg liderit dhe rivalit Real Madrid, si dhe pesë pikë larg top katërshes.
Duke folur pas ndeshjes, Pique tha: “Është shumë e nevojshme të fitojmë menjëherë sepse gjendja është e rënduar”.
“Sa keq që barazuam sepse ne luajtëm shumë mirë dhe garuam fort në një fushë të vështirë.”
Ai shtoi: “Synimi afatshkurtër është të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ai afatgjatë është se këta lojtarë të rinj do të jenë shumë të mirë për klubin. Por tani më rëndësi është të fitojmë dhe fitojmë”./