Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmePikëllim dhe frikë pas sulmit në Pragë

Pikëllim dhe frikë pas sulmit në Pragë

Frikë, pikëllim dhe borë. Kështu dukej Praga më 22 dhjetor, disa ditë para Krishtlindjeve dhe një ditë pasi një student i historisë vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë në Fakultetin e Filozofisë, në qendër të qytetit historik.

Përderisa banorët po kujtojnë viktimat, policia ka dalë në rrugë, përderisa ligjëratat janë anuluar për studentët e tjerë. Republika Çeke ka shpallur ditë zie për të nderuar viktimat.

Selma Muhiq Dizdareviq, një nga banoret e Pragës, tha se ata ende po rimëkëmben nga ajo që ndodhi më 21 dhjetor. Ajo është pedagoge në Universitetin e Karlit dhe ka djalin që studion në po të njëjtin fakultet ku ndodhi sulmi. Atë ditë ai ishte nisur për në ligjërata, por harroi kuletën e tij.

“Për këtë shkak ai u vonua për 10-15 minuta. Kur arriti në fakultet, nuk mund të hynte, të shtënat veçse kishin filluar. Ne shpëtuam, por na vjen keq për të gjithë”, tha Dizdareviq për Radion Evropa e Lirë.

Djali i saj 26 vjeç, Tariq, student i historisë në të njëjtin departament ku studionte sulmuesi, tha se ai ishte i befasuar dhe i hutuar dhe ende po pret që të zbardhen detajet.

Për shkak se kishte harruar kuletën, ai shkoi në fakultet më vonë se rëndomë.

“Metroja nuk u ndal në stacionin që duhej të zbrisja. Isha rrugën dhe veçse në metro flitej për ngjarjen. Kur pash se diçka po ndodhte, se kishin nisur të shtënat dhe një stacion para stacionit ku unë duhej të zbrisja, na njoftuar se aty metroja nuk do të ndalej. Por, autoritetet nuk shpjeguan pse. Edhe pse unë veçse e dija pse, kështu që unë dola dhe vendosa të kthehesha”, tha Muhiq.

Nëna e tij, pedagoge në programin master të studimeve për shoqëri civile në Fakultetin për Shkenca Humane, tha se e gjithë ngjarja është e pakuptueshme. Djali i saj, tha ajo, duhej të merrte pjesë në një ligjëratë në katin e tretë, përderisa sulmuesi vrau persona në katin e katërt.

“E kritikova për punën e kuletës. Por, në fund ai ka shmangur një tragjedi shumë më të madhe për shkak të kuletës. Kjo tregon se sa shumë varet lumturia jonë në disa gjëra në të cilat ne nuk kemi fare ndikim”, shtoi Dizdareviq.

Një prej viktimave ishte edhe drejtoresha e institutit të muzikës. “Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, që ka punuar shumë për të popullarizuar muzikën mesjetare”, tha Dizdareviq.

Në mesin e viktimave nuk ka shtetas të huaj, ndërkaq në mesin e të plagosurve janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një shtetas i Holandës. Kjo ishte hera e parë që në Republikën Çeke kishte të shtëna masive në një institucion arsimor dhe ishin të shtënat masive më të rënda që kanë ndodhur në këtë shtet.

“Kishte shumë gjak”

Për atë se çfarë ndodhi brenda ndërtesës kur sulmuesi kreu sulmin, tregoi më pas historiani rus, Sergei Medvedev, i cili ligjëron në këtë universitet. Vetë ai ishte barrikaduar në një klasë së bashku me studentët e tij.

“Ne ishim në katin e tretë. Të shtënat, me sa e kuptoj, ndodhën në katin e katërt. Shkallët ishin të përgjakura, jo krejtësisht, por kishte gjak dhe gjurmë gjaku. Në katin e parë dhe të dytë kishte barela, në disa prej të cilave kishte edhe trupa. Ne pritëm. Prej momentit që nisën të shtënat, ne qëndruam për më shumë se një orë në klasë”, tha Medvedev, i cili udhëheq emisionin “Arkelogjia” në radion në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë.

Të gjithë studentët që ishin me të kanë shpëtuar.

Në mesin e personave që ishin në katin e tretë gjatë sulmit ishte Liza Chukhraova, studente e vitit të parë.

“U dëgjuan të bërtitura dhe më pas të shtëna armësh. Nuk ishte e qartë nëse të shtënat po ndodhnin brenda apo jashtë”. Sipas saj, një prej studentëve shkoi në tualet dhe disa sekonda më vonë u kthye dhe tha se policia ishte në korridore. Pas kësaj, studentët mbyllën veten në klasë ku qëndruan për 40 minuta, më pas policia theu derën e klasës dhe u tha të gjithëve të shtriheshin në tokë.

“Më pas ata na morën na nxorën në rrugë me duart lartë. Kishte shumë gjak, shumë barela dhe autoambulanca aty pranë”, tha Chukharova.

Studentja nga Kosova, e shqetësuar për sigurinë në Pragë

Pasditen e 21 dhjetorit, Albioneta Ademit nga Kosova filluan t’i vinin mesazhe nga njerëz me të cilët nuk kishte folur që një kohë.

“A je mirë?”, pyesnin në forma të ndryshme njerëzit që e kontaktonin, duke e lënë atë të habitur.

Jo shumë kohë kaloi dhe ajo e mori vesh përmes një grupi me kolegë të tjerë të Universitetit e Karlit në Pragë të Çekisë se në ndërtesën e universitetit kishin ndodhur të shtëna masive.

“Fillimisht, desha t’u paraprija prindërve të mi, të cilët akoma nuk kishin lexuar asgjë. I kontaktova menjëherë për t’u thënë se ka ndodhur një sulm në universitetin tim, por që unë nuk kam qenë aty, që tani isha brenda në apartament dhe isha e sigurt”, kujton studentja nga Kosova.

Albioneta ka nisur këtë vit studimet e nivelit master për Ballkan, Evropë Qendrore dhe Euroazi në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Karlit.

Kur sulmi ndodhi, ajo po përgatitej për një provim që do ta mbante të nesërmen, mirëpo më vonë u njoftua se “çdo aktivitet në universitet, i paraparë për të premten, ishte anuluar dhe na kërkohej të mos shkonim pranë objekteve të fakulteteve”.

“Fati në këtë fatkeqësi është se ne sot gjithsesi do të përfundonim këtë semester, sepse përndryshe, nuk e di se si do të ishte, emocionalisht, të ktheheshim në ligjërata”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sulmi i së enjtes në Pragë la të vdekur 14 persona. Albionetën, sulmi e bëri më dyshuese ndaj të huajve pranë të cilëve kalonte rrugëve të Pragës të nesërmen. Tani, ajo shqetësohet për kthimin në Prishtinë, përmes Aeroportit të Pragës.

“Aeroportet gjithmonë kthehen në zona paska të frikshme pas një sulmi masiv në një hapësira publike. Sidomos nëse je në një kryeqendër të Evropës Qendrore ose Perëndimore. Akoma jam e shqetësuar për të frekuentuar hapësira publike me shumë njerëz, por besoj se masat e sigurisë janë marrë dhe vërtetë, ai ishte dhe mbetet një rast i izoluar”, tha ajo.

Çfarë ndodhi?

Pas sulmit, policia ndërmori masa mbrojtëse, që kanë për cak shkollat, spitalet dhe ngjarjet kulturore dhe sportive. Masat parandaluese do të jenë në fuqi deri më 1 janar. Zyrtarë policorë me armë të gjata janë dislokuar në rrugë, tha policia çeke.

“Nuk kemi informacione për kërcënime konkrete. E gjithë kjo është një masë paraprake, një sinjal se jemi këtu dhe jemi gati”, tha policia çeke përmes një njoftimi të publikuar në X, që më herët njihej si Twitter.

Mëngjesin e 21 dhjetorit, policia kishte pranuar një informacion se një djalë i ri nga qyteti Hostouns, në afërsi të Pragës, ishte nisur drejt kryeqytetit çek dhe po planifikonte të kryente vetëvrasje. Menjëherë autoritetet nisën një kërkim gjatë të cilit zbuluan trupin e babait të tij në shtëpinë e tyre. Sulmuesi, më vonë i identifikuar si David K., ishte 24 vjeç, kishte leje për posedim të disa armëve, përfshirë edhe pushkë të llojit AR-15, dhe nuk kishte të kaluar kriminale.

Siç tha më vonë shefi i policisë, Martin Vondrasek, policia shkoi në një prej objekteve të Fakultetit të Filozofisë së Universitetit të Karlit, ku ai studionte dhe ku ishte paraparë të ndiqte një ligjëratë atë ditë.

David K., megjithatë shkoi në ndërtesën kryesore të fakultetit, që gjendet në një zonë turistike të Pragës, hyri brenda dhe hapi zjarr. Ai vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë. Një person vdiq në spital dhe 13 në vendin e ngjarjes, thanë autoritetet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 27 persona janë shtruar në spital, shumica prej tyre me plagë nga arma e zjarrit. Nga ta, 12 janë në gjendje serioze, dhe të paktën një prej tyre është në gjendje kritike.

Drejtori i policisë në Pragë, Petr Matejcek, tha se sulmuesi ka vrarë veten kur policia iu afrua në ballkonin e ndërtesës.

Ai po ashtu tha se autoritetet gjetën municione në korridoret e fakultetit dhe se beson se reagimi i shpejtë i policisë parandalojnë gjakderdhje më të madhe. Njëzet e një minuta kaluan nga sinjali i parë për të shtënat deri në vdekjen e sulmuesit. Ndërkaq, policia tha se sipas testeve balistike, arma që u gjet në shtëpinë e sulmuesit përkonte me armët që ai përdori në universitet dhe me armën që ishte përdorur për të vrarë dy persona në një pyll në Pragë fundjavën paraprake.

Në ditën e masakrës, një numër i madh personash, përfshirë kryeministrin çek, Petr Fiala, nderuan viktimat, duke ndezur qirinj dhe duke vendosur kurora lulesh pranë ndërtesës së universitetit.

“Ne jemi këtu për të mbështetur kolegët tanë”, tha për Reuters studenti Daniel Broz. Në kohën e sulmit, ai nuk ishte në universitet.

“Ishte sureale, veçmas për shkak se si çek unë kurrë nuk kam përjetuar një ngjarje të tillë”.

Universiteti i Karlit ka anuluar të gjitha ligjëratat.

Republika Çeke ka një popullsi prej 10.09 milionë banorësh, dhe pothuajse 300.000 prej tyre kanë armë. Por, të shtënat masive janë të rralla në këtë shtet.

Krerët shtetërorë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos përhapin lajme të rreme dhe dezinformata në rrjetet sociale dhe të jenë të kujdesshëm për përmbajtjen që shpërndajnë. Policia ka thënë se ka regjistruar disa raste kur njerëzit supozohet se “të inspiruar nga ky akt i tmerrshëm, duan ta bëjnë të njëjtën gjë”. Policia tha se një grua ka kërkuar që të blejë armë që të veprojë njësojë. Ajo është arrestuar, teksa policia u ka kërkuar qytetarëve që të jenë të qetë./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments