Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi Kosova ka vendosur për masën anti-damping, duke thënë se është kundër dispozitave të CEFTA-s.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës “vepron kundër rregullave të tregtisë”, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.
Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se kanë marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping ndaj disa produkteve nga Serbia.
Në një konferencë për media të premten, Hajdari bëri të ditur se njëri vendim cakton masën antidamping prej 3 centë për kilogramë në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia.
Ndërsa, vendimi tjetër cakton një masë antidamping prej 3 centë për njësitë e bllokut ndërtimor me origjinë nga Serbia.
Sipas saj, dy vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, teksa shton se kanë pasur edhe hetime paraprake për këtë.