Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Kosovës, Petar Petkoviq ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “nuk mund të formohet asociacion njëetnik.
Në deklaratë, Petkoviq tha se Kurti po mashtron dhe po gënjen.
“Sot është bërë e qartë se leximi i dëshirës së pretenduar të Albin Kurtit për dialog është gënjeshtra dhe mashtrimi më i zakonshëm, sepse ai po bën gjithçka për të penguar çdo mundësi të negociatave dhe marrëveshjeve me pengesa dhe shantazhe”, tha ai.
“Beogradi zyrtar nuk do të pranojë asnjë interpretim të njëanshëm ose përpjekje për ta rishikuar Marrëveshjen e Brukselit, për të cilën po flet tash Albin Kurti. Deklarata e Kurtit shkel drejtpërdrejt, jo vetëm marrëveshjen e Brukselit tq vitit 2013, por edhe çdo mundësi për një marrëveshjeje të radhës”, thuhet në deklaratë.
Sipas Petkoviq, “Beogradi zyrtar vazhdimisht do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, siç u dakordua tetë vjet më parë”.
“Unë pres që Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialog, të vendosë qartë për interpretime të tilla të njëanshme të Prishtinës. Si është e mundur të arrihet ndonjë marrëveshje e re me Prishtinën, nëse sot dëshmojmë shkelje të hapura dhe mohime të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani. Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut si mekanizmi i vetëm për gjetjen e një zgjidhje kompromisi, por nuk do të jetë pjesëmarrës i heshtur në monologun e një pale negociuese, por do të këmbëngulë vazhdimisht, argumentimisht dhe fuqimisht për të përmbushur gjithçka që është rënë dakord deri më tani, si një parakusht për bisedime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën”, thuhet në deklaratën e Petkoviq.