Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaPesë vjet burgim ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës të akuzuar për korrupsion

Pesë vjet burgim ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, të akuzuar për korrupsion, duke i dënuar me pesë vjet burgim (së bashku) lidhur me akuzat për korrupsion.

Në këtë rast, Jakup Tërnava në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. E akuzuar në këtë rast është edhe Mevlude Nishori, por për shkaqe shëndetësore procedura penale ndaj saj është veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tre të të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Tërnava dhe Gërguri u dënuan me nga dy vjet burgim, kurse e akuzuara Mustafa-Sadiku me një vit burgim.

Gjykatësja Bytyqi ndaj tre të akuzuarve shqiptoi edhe dënim plotëues- ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik në kohëzgjatje prej tri vitesh, pas përfundimit të dënimit me burg.

Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nishori akuzohet se si zyrtare ligjore kishte përpiluar aktvendimin për revokimin e bartjes së pronësisë, e cila ishte në emër të dëmtuarve S.K., B.K., Z.K dhe Xh.K., Kurse, Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku ngarkohej që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments