Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka deklaruar se pesë persona janë duke u trajtuar aktualisht në këtë klinikë nga Covid-19. Ai ka thënë se ditët e fundit ka pasur kërkesë për hospitalizim nga ky virus.
Vishaj ka thënë se ky virus në stinën e verës, ka mundësinë e përhapjes më të madhe për shkak të fluksit, teksa simptomat janë të njëjtë si të viteve të kaluara.
“Këto tri ditët e fundit kemi pasur kërkesë për hospitalizim. Të hënën kemi pranuar nëntë pacientë. Tashmë në Klinikën e Infektives dhe dy pacientë i kemi lëshuar në shtëpi, dhe aktualisht kemi i pesë pacientë në klinikë duke i trajtuar. Është me natyrën e virusit Covid-19 që të pësoj dhe përsëritet herë pas here kryesisht ajo pjesë e popullit që ka imunitet te dobët. Simpotologjia duke që është e njëjtë nuk ka ndonjë ndryshim, ne jemi duke i trajtuar ata shumë mirë. Ne i kemi tre pacientë që jemi duke i trajtuar me oksigjeno-terapi, kurse dy të tjerë në Qendrën Klinike të Përgjithshme”, ka thënë Vishaj.
Ndërkaq, Vishaj theksoi se në kohën e verës ardhja e mërgimtarëve nga vendet e ndryshme, rrit mundësinë e shpërndarjes më të madhe të virusit Covid-19.
“Duket që virusi Covid-19, pëson ndryshime gjenetike prej një njeriut në njeriun tjetër. Në ditët e fundit kemi një grumbullim më të madh të popullatës në përgjithësi, kemi popullatë prej krejt botës. Kemi informacione që në Francë, Gjermani ka raste me këtë virus dhe mundësia e bartjes është më e mundur. Ky virus na ka mësuar që në stinën e verës ka mundësi me u përhap më shumë. Për kundër viruseve të tjera qe i kemi pasur nuk kanë qenë karakteristikë kohore që e ka ky virus”, theksoi ai.
Sipas tij, ky virus është bërë i zakonshëm dhe nuk është diçka për tu shqetësuar. Madje, ai ka thënë se ka simptomat e njëjtë sikurse para katër viteve.
Po ashtu, ai apeloi tek qytetarët që t’i shmangen grumbullimeve të njerëzve në mënyrë që të mos përhapet virusi.
“Organizata botërore e shëndetësisë Covid-19 e ka shpallur si emergjencë globale kurse IKShPK ka shpallur nuk është emergjencë nacionale, pra ky virus tashmë është i zakonshëm. Kryesisht i prek moshat që kanë çrregullim të imunitetit. Shenjat janë të njëjta, temperatura, lodhje ethe, vështirësi në frymëmarrje. Qytetarët të kanë manifestime të gripit preferohet të shmangen grumbullimit në zonat e mbyllura me grupe njerëzish sepse ka mundësinë e shpërndarjes së virusit”, u shpreh ai.
Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen COVID-19 emergjencë të shëndetit publik në janar të vitit 2020./EO