Monday, November 25, 2024
HomeLajmePesë ditë nga tragjedia në Gllogjan, s’ka të arrestuar, s’ka as të...

Pesë ditë nga tragjedia në Gllogjan, s’ka të arrestuar, s’ka as të dyshuar

Sot janë bërë pesë ditë nga tragjedia e Gllogjanit që tronditi Kosovën. Tre të vrarë, në mesin e tyre dy fëmijë ishte bilanci tragjik pasditën e të premtës kur persona të panjohur kanë shkrepur plumba në drejtim të autobusit të kompanisë “Erblini Tours”.

Pavarësisisht mobilizimit të madh dhe premtimeve të fuqishme nga institucionet e drejtësisë për kapjen e autorit, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.

Madje deri më tani Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar që ka edhe të dyshuar për këtë akt makabër.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në deklarimin e fundit për këtë rast i kishte bërë thirrje dorasit që të dorëzohet.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kishte thënë se moti i ligë i ka penguar për gjetjen e gjurmëve për këtë rast.

“Jemi duke u përballur me një numër të konsiderueshëm të informacioneve rreth rastit dhe kemi sjell njësi shtesë dhe ekspertë të ndryshëm të niveleve hetimore dhe operative” kishte thënë Mehmeti.

Për kapjen sa më të shpejt të autorit, Qeveria e Kosovës ka ofruar para pak ditësh 20 mijë euro për personin që jep informacione.

Por, ajo që është faktike është se pas gjitha tentimeve e premtimeve, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të kap autorin e vrasjes dhe pesë ditë pas aktit tronditës, ende nuk ka as të dyshuar për këtë rast./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments