Ermal Tahiri është një 28-vjeçar me aftësi të kufizuara.
Në vitin 2019 ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin Publik të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Ai kishte shpresuar shumë se do të gjente një vend pune pas diplomimit, mirëpo nuk e kishte këtë fat.
Edhe sot vazhdon të aplikojë në konkurse të ndryshme, por edhe në rastet kur merr përgjigje, ato janë negative.
“Punëdhënësit apo shoqëria në përgjithësi hezitojnë disi, kanë mëdyshje në aftësitë tona. Mendojnë po ashtu se ne kemi pranuar, disi trajtim të veçantë gjatë studimeve, dhe ndoshta nuk jemi kompetentë apo të aftë për një pozicion specifik kudo që të jetë”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Tahiri thotë se përkundër nismave ligjore dhe fushatave të ndryshme të institucioneve shtetërore, personat me aftësi të kufizuara janë të privuar padrejtësisht nga tregu i punës.
“Ne mundohemi të kyçemi në vende të ndryshme të punës, por pa sukses. Kam provuar disa herë. Kam aplikuar online. Shpeshherë edhe nuk më kanë kthyer përgjigje. Kam aplikuar edhe për recepsionist, por nuk jam pranuar. Më të vërtetë, të jesh një i ri me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk është aspak e lehtë”, thotë Tahiri.
E drejta për t’u punësuar personave me aftësi të kufizuara në Kosovë iu garantohet me ligj. Megjithatë, numri i atyre që punojnë mbetet shumë i ulët.
Ligji i pazbatuar
Nga viti 2009 Kosova ka një ligj të veçantë që obligon çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar.
Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara ka për qëllim të avancojë pozitën socio-materiale dhe integrimit në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara.
Sipas këtij ligji, punëdhënësi i cili nuk i përmbush detyrimet që dalin nga ligji, obligohet që për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej 1 për qind të shumës së pagës minimale.
Përkundër kësaj ky ligj nuk gjen zbatim në praktikë.
Të pakta janë institucionet, si publike e po ashtu edhe private, që punësojnë një person me aftësi të kufizuara në 50 punëtorë.
Afrim Maliqi, drejtues i organizatës “Hadikos-Kosova” thotë se së fundmi është nxjerrë një udhëzim administrativ që ka për qëllim të bëjë vlerësimin e aftësisë për punë dhe profilizimin e personave me aftësi të kufizuara. Por, ky proces sipas tij nuk ka filluar ende.
“Mungon edhe një dokument pagese, ndëshkimi në këtë rast i cili nënkupton që çdo institucion apo kompani të cilët nuk e punësojnë çdo të 51-in të punësuar një person me aftësi të kufizuara, atëherë ai gjobitet çdo muaj”, thotë Maliqi.
“Krejt është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve që ta nxjerrë këtë dokument dhe udhëzim administrativ ta bëjë të zbatueshëm dhe njëkohësisht ta funksionalizojë Inspektoratin e Punës që të fillojnë t’i kontrollojnë apo të mbikëqyrin institucionet dhe kompanitë”, shton Maliqi.
Maliqi thotë se sikur të zbatohej ligji dhe dispozitat e tjera ligjore do të diheshin profilet e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe që të dihej se për cilën punë ai është i zoti që ta kryejë.
E kjo sipas tij do të ndikonte në rritjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.