Dy përfaqësuesit ligjorë të PD- të drejtuar nga Sali Berisha, Ivi Kaso dhe Altin Kazizaj kanë denoncuar sipas tyre praninë e administratës nëpër qendrat e votimit.
“Vëzhguesit tanë dhe raportuesit nga terreni kanë njoftuar për një seri problematikash në qendrat zgjedhore, shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime. Sipas Pikës 7 të Urdhrit të KQ të Zgjedhjeve, kushdo qe konstaton shkelje ka të drejtë të njoftojë, krahas strukturave zgjedhore edhe Policinë e Shtetit. Njoftimi duhet bërë me shkrim ose te numri i Emergjencës 112.
Policia është e detyruar të verifikojë informacionin dhe në rast të konstatimit të një shkeljeje duhet te veprojë. Dhe këtu qytetarët që kanë dashur të raportojnë shkelje, kanë hasur në vështirësinë e parë. Numri 112 i Policisë është jashtë funksionimit. Nuk e dimë nëse ky është defekt teknik, paaftësi apo është bërë në mënyrë të qëllimshme, por i bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës dhe të respektojë ligjin. Urdhri i KQZ gjithashtu përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 m. Mosrespektim të kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administratës dhe të personave të tjerë të paautorizuar janë raportuar sot gjatë gjithë paradites në bashki në të gjithë territorin:
Disa prej problematikave te hasura në procesin e votimit deri me tani vijojnë si më poshtë: Në mbi 500 qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik, pavarësisht se operatoret janë paraqitur ne kohë. Në pjesën më të madhe, sipas raportimeve tona, ka grumbullime masive njerëzish të paautorizuar në oborret dhe mjediset hyrëse të QV, patronazhistë dhe drejtues të administratës
policia e njoftuar për çlirimin e qendrave të votimit nga patronazhistët më së shumit nuk përgjigjet, por edhe kur përgjigjet refuzon te zbatoje Urdhrin, duke e nxjerrë tërësisht veten jashtë funksionit kryesor sot: mbarëvajtja e zgjedhjeve. ka raportime të shumta që boja me të cilat shënohen gishtat fshihet lehtësisht duke ngritur dyshime për votim më shumë se një herë.
Raste arbitare të ndërhyrjes në procesin e votimit janë regjistruar sidomos në Durrës. Drejtori bashkiak Roni Shqopa, Davide Ndoj, kryetare e njësisë adminstrative Spitallë, Flamur Gjuzi drejtor i Sigurimeve Shëndetësore, dhe Artur Feto i OSHEE janë parë në qendrat e votimit në qytet dhe rrethina. I bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës, të njoftojë KZAZ per shkeljet dhe ne përfundim te hartojë proçesverbalin për shkeljen përkatëse.
Të gjitha këto ndërhyrje hileqare në proces nga administrata dhe drejtorët e bashkive të Ramës nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për te tensionuar situatën dhe për tu munduar t’i bëjnë parapritë humbjes së së sigurt. Koaliconi “BashkëFitojmë” ka vetëm një thirrje për qytetarët shqiptarë: dilni dhe shprehni vullnetin tuaj të lirë. Asgjë nuk e ndal valën e madhe të fitores dhe ndryshimit”, tha Kaso.
Përmes një deklarate për mediat, Kaziaj i bëri thirrje kreut të Policisë së Shtetit të shtojë efektivët në perimetrin e qendrave të votimit, pasi sipas tij po u bëhet presion votuesve në qendrat e votimit, nga persona që nuk janë të autorizuar të jenë aty.
“Personat që kanë detyra zgjedhore duhet të rrinë në këto ambiente. Shumë media kanë transmetuar persona me xhupa e kapuçë që po ushtrojnë presion mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve. I bëj thirrje drejtorit të Policisë së Shtetit zoti Rrumbullaku që të marrë masa të menjëhershme duke siguruar prezencën në atë që ligji e lejon, të policisë duke nxjerrë jashtë qendrave të votimit këta persona që nuk kanë lidhje fare me komisionerët e qendrave të votimit, të jenë jashtë perimetrit 150 metërsh. Në Tiranë ka një prezencë të shtuar të këtyre personave, ky është një komunikim që po u bëhet qytetarëve, mos kini frikë nga intimidimi që po ju bëhet, merrni në telefon Policinë e Shtetit dhe nëse nuk ju përgjigjen, ne do marrim çdo aksion ligjor për përgjegjësit”, shtoi Kaziu.