Kandidatët për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama nga LDK-ja dhe Arben Vitia nga VV-ja janë përplasur në lidhje me ndërtimet në zonën e liqenit të Batovcit.
Rama në emisionin DebatPernime tha se nuk do të lejojë ndërtime në Badovc.
Pas kësaj deklaratë reagoi Vitia duke thënë se nuk e di nëse ka ndryshuar ose jo koncepti i kundërkandidatit të tij për ndërtimet në Batovc.
Ai përmendi edhe projektin e Ramës si arkitekt muaj më parë për ndërtimet në atë zonë që ishin pezulluar.
Rama tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se projekti ka qenë legal.
“Është totalisht jo e vërtetë z. Vitia, projekti ka qenë totalisht legal dhe kam punuar pikërisht kur ju keni qenë si pjesë e Qeverisë aty kemi filluar procesin. Të gjitha aspektet legale janë marrë parasysh edhe për herë të parë në Prishtinë ne kemi sjellë një sistem i cili ka pasur impiant, e ka mbrojtë natyrën dhe ka mundësuar që impianti të përdoret për të krijuar rrymë dhe të mbrojë natyrën në të njëjtën kohë”, tha ai.