Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot njërën prej 18 pikave të reja ushqyese për qentë endacakë.
Rama, në një njoftim, ka thënë se në bashkëpunim me “Poppins PetFood” , janë vendosur pika ushqyese për qentë në disa lagje të Prishtinës.
“Vizitë në njërën nga 18 pikat e reja ushqyese për qentë endacakë, të cilat Komuna e Prishtinës bashkë me Poppins PetFood i kanë vendosur në disa lagje të Prishtinës për t’u ofruar qenve ushqim dhe për të lehtësuar mundësinë që të dërgohen për vaksinim dhe sterilizim”, ka shkruar ai.
Rama ka shprehur përkushtimin e Komunës së Prishtinës për implementimin e strategjive efikase, duke aplikuar praktikat humane dhe ligjore në favor të mirëtrajtimit të qenve endacakë.
“Jemi të përkushtuar për implementimin e një strategjie efikase në të mirë të qytetarëve, njëkohësisht duke aplikuar pratika humane dhe ligjore në favor të respektimit të mirëqenies së katërputroshëve”, ka shkruar Rama.