Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dyja vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë më 8 nëntor, pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
Sa i përket përparimeve që ka arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.
Raporti vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike, duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.
Situata politike në Kosovë vlerësohet si e qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.
Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, pavarësisht faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.
Në fund të tetorit, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim një projektrezolutë që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton REL.