Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku disa persona janë përfshirë në një konflikt verbal që kaloi në dhunë, ku u përdor edhe thika.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që përfunduan në stacion policor janë Jahir dhe Driton Alshiqi, që dyshohet se u kapën dhe e rrahën një person tjetër.
Por, të njëjtit e kanë pësuar, pasi edhe vëllai i viktimës, i dyshuari tjetër Asllan Sopjani, i ka goditur ata me veturë, në shenjë revolte.
Siç mëson Sinjali, tre të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin në të cilin janë përfshirë dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.
Ndaj tyre kanë nisur hetimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.