Pjesëmarrja e grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në pozita vendimmarrëse është tejet i rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Kështu u tha në konferencën përmbyllëse të “Javës së Gruas 20/21” të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).
Përkundër progresit, gratë ende nuk përfaqësohen mjaftueshëm në nivelet vendimmarrëse
Pjesëmarrja e grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në pozita vendimmarrëse është tejet i rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Kështu u tha në konferencën përmbyllëse të “Javës së Gruas 20/21” të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).
Në këtë konferencë përmbyllëse u theksua se në Kosovë përkundër që ka përmirësim të përfaqësimit të grave në jetën politike, duhet të punohet ende në këtë drejtim e sidomos në nivelin lokal.
Drejtoresha e Zyrës së NDI ne Kosovë, Nancy Soderberg, tha se qëllimi i “Javës së Gruas” ka qenë fuqizimi i grave, të rinjve dhe komunitetit joshumicë nëpërmjet pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse.
Ajo tha se përkundër progresit që është arritur në Kosovë duhet të punohet edhe më shumë për përfaqësimin e grave në pozita vendimmarrëse.
“Gjatë zgjedhjeve lokale gjatë vitit 2021 këtu në Kosovë ne po urojmë gratë pjesëmarrëse dhe fituese, por jemi larg nga barazia në politikë në Kosovë. Kështu që, vazhdojmë të diskutojmë sfidat me të cilat përballen gratë dhe për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të tyre në çdo nivel të vendimmarrjes politike. Kjo kërkon që gratë dhe burrat ta marrin dhe ta shtyjnë këtë zotim përpara… Përkundër shenjave të progresit duhet të bëhet edhe më shumë për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të grave në demokracinë e Kosovës, kërkohet më shumë punë në të gjitha nivelet e shoqërisë për të fuqizuar gratë ekonomikisht në kuptim social dhe politik. Suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e grave, kjo do të thotë 50 përqind, jo 5, jo 15, jo 20, por barazia e plotë me 50 përqind. Por kjo normë me këtë ecuri tani lypet edhe 100 vjet për të arritur këtë barazi gjinore, pse po e humbim këtë se siç e thotë edhe titulli koha është tani”, tha ajo.
Se gratë nuk përfaqësohen barabartë në të gjitha nivelet e jetës politike dhe vendimmarrëse, e potencoi edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.
Ajo mori si shembull edhe zgjedhjet e fundit lokale për të cilat tha se munguan gratë si kandidate për kryetare.
“Gratë ende nuk përfaqësohen barabartë në të gjitha nivelet e jetës politike dhe vendimmarrjes, këto arritje të cilat janë paraqitur dukshëm në nivelin kombëtar ende nuk shihen në nivelin lokal. Siç i pamë në zgjedhjet lokale të dielën e kaluar mungesa e grave në listën e garuesve për kryetar kjo e tregon shumë se mungon barazia gjinore në institucionet lokale. Kemi pa edhe shumë sfida që u përshkruan në raportin e NDI-së për vlerësimin e barazisë gjinore, është dhuna ndaj grave. Këto na përkujtojnë se edhe përkundër progresit gjatë viteve gratë përballen me barriera të mëdha ndaj arritjes së pjesëmarrjes së fortë politike në nivel lokal ku gratë përballen me sfida më të mëdha drejtë arritjes së suksesit politik”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kanadasë, Emily Nicholson, tha se për të arritur një barazi në përfaqësim rol të rëndësishëm luajnë edhe burrat.
“Ju bëj thirrje siç është edhe titulli koha është tani që motivimin, përvojën ta paraqisni dhe të bëni thirrje për ndryshime dhe progres dhe duhet të punojmë siç thotë titulli tani, që t’i ndërmarrim veprimet dhe të bëjmë ndryshimet që duam t’i shohim. Është kohë që edhe të tjerët t’i bashkojmë kur i hapni dyert dhe i thyeni ato tavane të vjetra lidhur me se çka duhet të bëjmë e çka jo ne si gra. Sepse është provuar nga hulumtime të mëdha se nuk ka kurrfarë dyshimi se liderët gra në rolet vendimmarrëse kanë impakt pozitiv, pavarësisht se a është në sektorin privat, kryeshef të bordeve”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, nga Grupi i Grave Deputete, foli për vështirësitë që gratë kanë në politikë, teksa u shpreh se kur ka hyrë në parti politike është perceptuar që ajo duhet të zhvishet nga gjithçka çka prezantuar më herët.
Ajo tha se në zgjedhjet lokale ka marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve për asamble, e që potencoi se ka qenë shumë e vështirë për t’i bindur gratë që të bëhen pjesë e listës.
Hoxha tha se gratë në politikë në të shumtën e rasteve paragjykohen edhe për pamjen e tyre të jashtme, duke lënë anash atë çfarë ato vërtetë prezantojnë në politikë.
“Gjykohen shumë edhe për pamjen e tyre, duhet gjithmonë të jenë të kuruara më së miri, të jenë të freskëta, është shumë e zorshme për gratë që edhe kur të kthehen në shtëpi vazhdojnë turnin e dytë ose të tretë të punës me fëmijët, me punët e tjera të cilat vazhdojnë të shihen si punë vetëm për gratë, jo në të gjitha rastet por në shumësi. Andaj besoj që kemi shumë punë për t’u bërë, jo se është fotografia bardh dhe zi, e përmendet edhe ju më herët nga zgjedhjet e fundit ne nuk kemi pas rastin që shumë gra që kanë hyrë pa kuotë”, tha ajo.
Në fund të konferencës, NDI ka ndarë certifikatat për 87 pjesëmarrësit, 70 gra dhe 17 burra, të cilët kanë përfunduar me sukses programin nga muaji dhjetor 2020 deri në muajin shtator 2021.
“Java e Gruas 20/21” është organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasadës se Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë.