Çdo 16 prill shumë qytetarë të Kosovës, rikthehen në Kukës për të përkujtuar Eksodin Biblik të 99-tës, ku gjetën mikpritjen bujarinë dhe zemrën e hapur për ta.
Me muzikë popullore e flamuj në duar, sot ata marshuan njëlloj si 24 viteve më parë, kur u duhej të largoheshin nga banesat e tyre për t’i shpëtuar spastrimit etnik në Kosovë, nga ushtria serbe.
Nën një simbolikë të veçantë qindra qytetarë nga Kosova kanë kaluar kufirin Kosovë- Shqipëri për të mbërritur në Kukës.
Me shqiptarët e Kosovës që erdhën për të rikujtuar eksodin e 99, ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Kjo është një simbolikë, një dëshirë e madhe e qytetarëve të Kosovës për të përkujtuar këtë ditë. Unë mendoj që asnjëherë populli i Kosovës nuk e ka harruar mikpritjen e madhe që i ka informuar populli i Kukësit”, tha Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Në marsin dhe prillin e vitit 1999 ushtria serbe ndërmorri një vale të gjerë të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare në Kosovë, duke larguar me dhunë mijëra banorë nga shtëpitë e tyre.
Kukësi u bë shtëpia e dytë e tyre dhe rreth 700 mijë persona u strehuan në shtëpi, godina institucionesh dhe në kampet që u ngritën për pritjen e tyre, deri në 13 qershor ‘99 kur Kosova u çlirua nga NATO dhe UÇK.