Mbrëmjen e 10 prillit një qytetar serb është plagosur me armë zjarri në Zveçan. Fillimisht Policia e Kosovës demantoi shkrimet e mediave serbe se zyrtarët e saj janë përfshirë në këtë rast, ndërsa më vonë njoftoi se për të njëjtën çështje ka suspenduar katër zyrtarë policorë. Pas kësaj kanë reaguar ambasadorët Hovenier dhe Rohde, mirëpo njëri ishte kritik e tjetri më i butë.
Lidhur me plagosjen e M.J. Policia ka njoftuar të martën që ka suspenduar katër zyrtarë policorë – njëri për përfshirje në rast dhe tre të tjerë për mosraportim. Më pas, të njëjtit janë arrestuar.
Për këtë, kritik ka qenë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai në një postim në Tëitter ka shkruar se është i shqetësuar për “mohimin fillestar” që është bërë nga Policia e Kosovës.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar Hovenier.
“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Plagosjen e serbit e ka dënuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, mirëpo ka qenë më i butë ndaj Policisë së Kosovës. Ai në Tëitter ka shkruar se “është mirë” që Policia ka reaguar duke e hetuar gjerësisht rastin dhe ka shtuar se “sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër”.
”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman, të mërkurën.
Reagimi i ambasadorit Rohde ka ardhur pasi drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kërkoi nga ambasadori të reagojë, duke shtuar se “për raste tjera ai reagon në sekonda”.
Për këtë rast, disa qytetarë serbë kanë protestuar dje afër urës së Bistricës.
Ata kanë kërkuar largimin e Policisë nga Veriu.
Në pankartat që mbanin serbët shkruante “Largohuni nga këtu”, “nuk i përkisni këtij vendi”, “Evropë, po shtien mbi ne”. /