Pas një muaji tensionesh në veriun e Kosovës, pa u dakorduar për një opsion që e qetëson situatën, është hedhur ideja e “mbylljes” së Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, derisa ata të arrijnë një marrëveshje. Në të kaluarën përpjekjet për ujdi të mëdha mes dy vendev ishin bërë nëpër kështjella dhe pallate europiane (Francë dhe Austri). Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dha sinjale se një opsion i tillë mund të ndërmerret shpejt, ndërsa SHBA tha se s’do ta refuzonte. Lufti Haziri, pjesëmarrës në bisedimet Kosovë -Serbi, ka shpalosur për Express pikëpamjet e tij rreth një formati të tillë të bisedimeve
Që kur nisën tensionet në veri, në fund të majit me futjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet e katër komunave veriore, Kryeministri Edi Rama mori një rol të ri. Çdo kërkesë e ndërkombëtarëve në raport me Kosovën dhe Serbinë është përkrahur nga ai, ndërsa çdo propozim i tij është pranuar nga Perëndimi.
Ideja e fundit të cilën e artikuloi Rama është organizimi i një konference ndërkombëtare, ku Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk do të dilnin pa një marrëveshje që do të shtensiononte situatën në veri.
Formula e konferencave ndërkombëtare është e njohur për konfliktet mes shteteve të Ballkanit. Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, që ishte pjesë e ekipit kosovar në bisedimet e Vjenës e ka komentuar për Gazetën Express propozimin e Kryeministrit Rama.
Haziri përmend propozimin e mëhershëm të Francës që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet përmes një konference ndërkombëtare, e jo në atë që quhet “shuttle diplomacy”, si formati i tanishëm, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Nënkryetari i LDK-së thotë se është e vështirë për Kosovën të nxjerrë më të mirën nga një konferencë ndërkombëtare, në fazën që ajo është tani.
“Riaktualizimi për një konferencë vjen në këtë fazë kur Kosova e ka këtë imazh, këto politika ndëshkuese dhe me këtë përfaqësim do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për maksimalizuar qëllimin kryesor që të nxjerrë një njohje formale të pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e kufijve të saj si qëllim kryesor. Por, kur ka kriza të tilla çdo ditë, kriza lokale që prodhojnë situatë destabilizimi dhe shqetësim, natyrisht që iniciativa e kryeministrit Rama dhe të tjerëve, do të jetë tendencë që faktori ndërkombëtar të mobilizohet për ta përmbyllur sa më shpejt këtë gjendje, por prodhimi final, impakti final dhe qëllimi final i saj marrëveshjeje në raport me Kosovën do të jetë krejt ajo çfarë ne nuk presim”, thotë Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, i pyetur nëse një konferencë ndërkombëtare në këtë rast do të ishte produktive, thotë se për Kosovën është e rëndësishme një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Formati i propozuar nga Rama, sipas tij, synon të zgjidhë kriza të momentit
“Natyrisht, për ne ka kuptimin e mbylljes së raportit me Serbinë, një marrëveshje obligativisht ligjore, të pranuar nga të gjitha palët dhe të rrumbullakësohet shtetndërtimi. Por, kjo do të jetë vështirë e realizueshme sepse konferencat e tipit të tillë synojnë të zgjidhin kriza të momentit sikur këto që po i shohim çdo ditë”.
Kryeministri Kurti me marrëveshjen për normalizim të raporteve me Serbinë, që është arritur në shkurt, e më pas aneksin e saj të pranuar në Ohër, Haziri thotë se e ka degraduar synimin e Kosovës për marrëveshje të përhershme. Kësisoj, sipas tij, edhe nëse Kosova hyn në një konferencë ndërkombëtare, e ka të vështirë të marrë më të mirën nga ajo.
“E mira më e madhe është që ky format, kjo agjendë dhe këto parime që jemi dakorduar tash e një kohë, të arrijnë qëllimin. Z. Kurti, nga një marrëveshje të përhershme obligativisht ligjore, e ka degraduar me një marrëveshje të përkohshme dhe vështirë është të thehet ky limit sepse në atë marrëveshje të përkohshme, në një nen të vecant thuhet se palët nuk paragjykojnë statusin politik të Kosovës dhe kjo është brenga kryesore. Me këto dy damka, të hyhet në një proces ndërkombëtar të konferencave, vështirë është që të maksimalizohet kërkesa jonë që Serbia të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, le ta presim eventualisht sqarimin që z. Kurti mund t’ia bëjë të gjithëve, e në veçanti popullit të Kosovës”, tha Haziri.
Propozimin e Kryeministrit Rama nuk e kanë hedhur poshtë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përkrahur idenë e Ramës, duke thënë se në një konferencë të atillë do të merrnin pjesë liderët e Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët evropianë dhe amerikanë.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, ka thënë Michel para nisjes së Samitit të BE’së derisa ka qenë i shoqëruar me Sekretarin e NATO’s Jens Stoltenberg.
“Mendoj se ka ardhur koha që të kemi një qasje globale, pastaj të kemi hapa të qartë në drejtim të normalizimit”, ka thënë Michel.
Ndërkaq, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja pranon çdo mënyrë të dialogimit, e cila është e pranueshme për Bashkimin Evropian, si ndërmjetësuese mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk do të shprehim opinion mbi hapat më të mirë, se a është mbyllja e njerëzve në një dhomë derisa të arrijnë një marrëveshje, apo negocimi në mënyra të tjera. Ky është një proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe, BE ka emëruar dikë në të cilin ne kemi besim, Miroslav Lajcakun, që të jetë përfaqësues speciale dhe Përfaqësuesi i Lartë, z. Borrell, i cili është duke luajtur rol të rëndësishëm në gjithë këtë. Ata duhet të përcaktojnë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ne i mbështesim ata hapa”, ka thënë Hovenier të enjte në Klan Kosova.
Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me një qëndrim rreth idesë së konferencës ndërkombëtare.