Friday, September 20, 2024
HomeLajmePërdorimi i ngjyrës së dukshme për shënjimin e votuesve, Daka: Regres, vendim...

Përdorimi i ngjyrës së dukshme për shënjimin e votuesve, Daka: Regres, vendim i çuditshëm i KQZ’së

Vendimi i KQZ’së për përdorimin e ngjyrës së dukshe për shënjimin e votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit ka nxitur reagime. Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka këshilluar këtë institucion që ta rishikojë vendimin për ngjyrën matrikuluese, ndërsa ish kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se kjo është regres. “Vendim i çuditshëm”, tha ajo.

Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka kërkuar KQZ’së që ta rishikojë vendimin për përdorimin e ngjyrës matrikuluese dhe të merrem në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor.

Lidhur me këtë çështje, ish kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, i ka thënë Gazetës Express se AIP e ka rekomanduar drejtë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas saj, ky vendim i KQZ’së është kthim mbrapa në demokraci, derisa shton se jo secili qytetar dëshiron që të dihet nëse ka votuar ose jo.

“Mendoj që AIP ka vendosur drejtë dhe e ka rekomanduar drejtë KQZ’në sepse vendimi i KQZ’së që votuesit të shënjohen me ngjyrë matrikuluese është regres, kthim mbrapa në demokraci, sepse në Kosovë vazhdimisht është përdorur sprej jo me ngjyrë dhe janë shënjuar vetëm ata që kanë votuar dhe ka qenë e mundur të kuptohet se kush ka votuar përmes lampës ultavioletë. Vetëm fakti se po shënjohet me ngjyrë të zezë për mua personalisht ka qenë vendim jo i drejt dhe vendim që e ka kthyer Kosovën mbrapa dhe kërkund në Evropë nuk besoj që ka ndonjë shtet që përdor një ngjyrë të tillë. Mendoj që me këtë vendim në një lloj mënyrë është prekur privatësia e qytetarëve sepse jo secili qytetar ka dëshirë me dit a ka votu a jo, e drejta e votës është universale, diskrecionale e secilit qytetar të Kosovës”, tha Daka për Express.

Sa i përket frikës për votim të dyfishtë, Daka tha se ka mënyra tjera për ta evituar atë.

Ish kryetarja e KQZ’së tha se ky është një vendim i çuditshëm dhe se KQZ është dashur të gjejë mënyra për ta eliminuar këtë verifikim.

“Votimi i dyfishtë evitohet në mënyra tjera dhe vitet e fundit apo zgjedhjet e fundit KQZ ka gjetur mënyrën se si me i zbulu ata që votojnë dyfish dhe ato vota automatikisht janë anuluar, pra nuk ka pasur frikë se dikush do të votojë dyfish dhe se ato vota do të numërohen dy herë. Për mu ka qenë vendim i çuditshëm sepse KQZ ka gjetur mënyrën se si me eliminu votën e dyfishtë dhe ka qenë plotësisht i panevojshëm ky vendim. Për më tepër KQZ është dashur të shkojë edhe më përpara dhe të gjejë mënyra se si ta eliminojë këtë verifikim sepse ajo është shkuarje drejt demokracisë e jo të kthehemi mbrapa dhe t’i shënjojmë votuesit me ngjyrë të zezë”, tha Daka.

Çka e këshilloi AIP KQZ’në?

Në një letër që e ka parë Gazeta Express, AIP e këshillon KQZ’në që ta rishikojë përdorimin e ngjyrës matrikuluese dhe të merren në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor.

“Rrjedhimisht nga kjo që u tha më lartë, pa anashkaluar mundësitë e interpretimeve që ka në kompetencë Gjykata Kushtetuese apo edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, gjithherë mbi bazën e autorizimeve ligjore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ju këshillojmë që të rishikoni përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit dhe të merrni në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor, duke garantuar mbrojtje të të dhënave personale dhe privatësisë së votuesve”.

AIP ka treguar se si ekspozohen ë dhënat personale “në mënyrë të pavullnetshme” përmes këtij vendimit të KQZ’së.

“Ngjyra matrikuluese e vendosur në gishtin e votuesit zbulon faktin se një person ka votuar, pa ekspozuar të dhënat e tij personale. Megjithatë, marrë parasysh faktorët shtesë, si njohja e këtij personi brenda rrethit familjar, në punë, apo në komunitet (fshatra apo lagje), në rrethin ku jeton dhe vepron personi, ngjyra matrikuluese mundëson që personi të identifikohet me emër dhe përmes këtij identifikimi, indirekt të zbulohet informacioni se i njëjti ka votuar ose jo. Nga ky këndvështrim, shënjimi i gishtit me ngjyrë matrikuluese, në mënyrë të pavullnetshme bënë ekspozimin e të dhënave personale. Rrjedhimisht, nga ky ekspozim zbulohen edhe veprime të identifikueshme të personit lidhur me aktivitetin e tij qytetar. Tutje, pavarësisht se ngjyrosja e gishtit me ngjyrë matrikuluese nuk përbën identifikim automatik, megjithatë krijon mundësinë për profilizim, pasi mund të përdoret për të nxjerrë përfundime mbi sjelljen e një personi të identifikueshëm që ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar ose jo.”

AIP i ka thënë KQZ’së se ngjyra matrikuluese nuk përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas AIP kjo metodë praktikohet në Afganistan, Algjeri, Bahamas, Kamboxhia, Egjipt, Indi, Nigeri, Peru, Irak, Siri, Turqi e Venezuelë, por që është kritikuar edhe atje.

“Në vendet e Bashkimit Evropian praktika e evidentimit të votuesve, qoftë me ngjyrë të padukshme ose të dukshme, nuk aplikohet. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i kësaj praktike në vendet tjera të botës është bërë kryesisht për shkak të problemeve me lista zgjedhore, ku ekziston frika e votimit të shumëfishtë për shkak të mungesës  së regjistrave të sakta dhe të përditësuara të votuesve, apo ku dokumentet e identifikimit të qytetarëve nuk janë të standardizuara apo të institucionalizuara, që në Republikën e Kosovës nuk është e nevojshme pasi që ka forma të tjera të cilat e verifikojnë mundësinë e votimit të dyfishtë. Praktika e shënjimit me ngjyrë matrikuluese (të dukshme) është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet në vendet si: Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj., përderisa e njëjta praktikë është kritikuar për shkak të mundësisë së shkeljes së privatësisë dhe ekspozimit të votuesve ndaj presionit social ose politik.”

OSBE i kërkoi KQZ’së që të konsultohet me palët e interesit në zgjedhje

Ditë më parë, nga OSBE i kanë thënë Gazetës Express se kjo ngjyrë përdoret për të parandaluar votimin e shumëfishtë, e kështu ruhet integriteti i procesit zgjedhor.

Mirëpo sipas misionit kësaj risie duhet t’i paraprijë një konsultimi të hapur dhe të gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve dhe e ka inkurajuar KQZ’në ta bëjë këtë.

“Ngjyra e dukshme ose e pashlyeshme zakonisht përdoret si masë për të parandaluar votimin e shumëfishtë dhe për këtë arsye kontribuon në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Si çdo risi në procesin zgjedhor, asaj duhet t’i paraprijë një konsultim i hapur dhe i gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve. Andaj ne inkurajojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili është përgjegjës për zbatimin e masave që sigurojnë më së miri integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, që të konsultohet me të gjitha palët e interesit në zgjedhje”, kanë thënë nga OSBE.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments