Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaPër herë të tretë dështon nisja e gjykimit ndaj të akuzuarve për...

Për herë të tretë dështon nisja e gjykimit ndaj të akuzuarve për manipulim të votave për kandidatët e LVV për deputetë

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Vlora Jasharaj ka dështuar për të tretën herë shqyrtimi fillestar në rastin ku e njëjta së bashku me shtatë të pandehur tjerë po akuzohen për manipulim me rezultatet e votimit në zgjedhjet e 2017-ës.

Në këtë rast së bashku me Jasharaj për falsifikim të rezultateve të votimit po akuzohen edhe Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi, të cilët sipas prokurorisë kanë manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarës Jasharaj, gjykatësi Gëzim Ademi konstatoi se nga Policia e Kosovës ishin njoftuar që nuk mund të sigurojnë prezencën e saj për shkak se nuk janë në dijeni për vendqëndrimin e të njëjtës.

Po ashtu gjykatësi Ademi tha se nga familjaret e të njëjtës ishte njoftuar se e akuzuara Jasharaj gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë seancë po ashtu mungoi edhe mbrojtësja e të akuzuarës Sijarina, avokatja Emine Bajrami-Statovci për të cilën gjykatësi Ademi tha se e njëjta ka qenë e ftuar me ftesë të rregullt por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa e akuzuara Sijarina njoftoi se mbrojtësja e saj, avokatja Bajrami-Statovci përmes një mesazhi në telefon i kishte thënë të njëjtës që të kërkonte nga gjykatësi që seancën e sotme ta shtynte për një datë tjetër.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty ndërsa e radhës pritet të mbahet më 7 shtator 2023.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Jasharaj kishte dështuar po ashtu të nis ky gjykim i planifikuar më 14 korrik 2023.

Ndërsa më 3 korrik të këtij viti në mungesë të të akuzuarve Vlora Jashari dhe Samsun Bolukbashi, kishte dështuar po ashtu të nis gjykimi për këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Luljeta Kelmendi, Altin Bekteshi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi të cilët po ngarkohen se më 11 qershor 2017, në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, në bazë të marrëveshjes paraprake, gjatë numërimit të votave kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se, e pandehura Kelmendi në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit dhe të pandehurit tjerë, Sijarina, Jashari, Bekteshi, Makolli, Bolukbashi, Azemi dhe Berisha anëtarë të këtij Këshilli, kanë falsifikuar rezultatet e votimit duke manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që kandidatëve të preferuar nga LVV u kanë shtuar 50 vota dhe kandidatëve tjerë nga LVV u kanë hequr 19 vota dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, me ç ‘rast kanë dëmtuar KQZ-në.

Me këto veprime, të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre deri në pesë vjet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments