Parlamenti Evropian (PE) e ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian (KE) për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare.
Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian. Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor.
Të martën u paraqit edhe propozim rezoluta legjislative për rregulloren për themelimin e planit për reforma dhe rritje ekonomike. Për këtë u debatua të njëjtën ditë gjatë një takimi të përbashkët të komisioneve të PE-së për Politikë të Jashtme dhe për Buxhet.
Parlamenti Evropian, krahas kushtëzimeve që i ka propozuar më herët edhe Komisioni, ka kërkuar edhe masa shtesë, me të cilat do të kushtëzohej përdorimi i mjeteve financiare nga ky plan, në mënyrë që të sigurohet më mirë mbrojtja e interesave të Bashkimit Evropian.
Ndër kushtet kryesore për përdorimin e këtyre mjeteve janë sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i vlerave themelore e demokratike.
Parlamenti Evropian ka kërkuar që, mes tjerash, përdorimi i mjeteve të kushtëzohet edhe me mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.
“Një parakusht tjetër do të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Unionit, përfshirë miratimin e masave kufizuese ndaj Rusisë, sikur edhe me kërkesat e BE-së për viza për vendet e treta”, thuhet në amendamentin që ka propozuar Parlamenti Evropian si kusht shtesë për përdorimin e këtyre mjeteve.
Ky propozim ndryshim mund të ketë efekt kryesisht në rastin e Serbisë, pasi ajo është vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Por, për t’u përfshirë kjo në kushtëzime duhet të pranohet edhe nga Këshilli i BE-së, ku vendosin vendet anëtare të bllokut.
Kosovës dhe Serbisë do t’u kërkohet specifikisht të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve.
“Parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në propozimin e rregullores.
Parlamenti Evropian ka propozuar që këtu të shtohet edhe një sqarim që kërkohet “rezultat i qartë i matshëm dhe rezultate konkrete”.
Sipas këtij plani, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për rritje ekonomike dhe reforma të BE-së. Këto mjete do të kenë një kushtëzim të shtuar dhe do të përdoren vetëm nëse respektohen ato.
Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim për përfituesit, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi të favorshme për të cilat do të garantonte BE-ja.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, gjysma e mjeteve nga plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në kuadër të kornizës për investime, sepse mjetet ekzistuese që janë në dispozicion nuk konsiderohen të mjaftueshme për të tërhequr investime të duhura. Pjesa tjetër do të shkojë direkt në buxhetin e vendeve për të financuar disa nga reformat e nevojshme.
Komisioni Evropian beson se ky plan do ta ndryshojë shumë Ballkanin dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike dhe me këtë do ta ndihmojë edhe progresin e këtyre vendeve drejt integrimit në BE.
Parlamenti Evropian kërkon që të bëhet e qartë se instrumentet e para anëtarësimit (IPA) të mbeten mjetet kryesore për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe së mjetet nga plani për reforma dhe rritje ekonomike të jenë vetëm shtesë e jo zëvendësim i këtyre instrumenteve./REL