Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar sot seancën në Kuvendin e Kosovës, pas debatit mes deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri dhe Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Derisa deputetët e PDK-së kanë qenë duke u larguar nga Kuvendi, ka pasur edhe tensionim të situatës e cila eskaloi në ofendime mes deputetëve të PDK-së dhe VV-së.
Në një prononcim për lajmi.net, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka deklaruar se PDK-ja nuk do të kthehet në seancë deri sa ministrja Gërvalla-Schwarz të kërkojë falje për deklaratat e saj.
“Ne si grup parlamentar morëm vendim për ta lëshuar seancën deri në kërkim falje nga ministrja Schwarz për deklaratat që i ka dhënë që nga viti 2015 ku kronologjikisht ka thënë se mezi po pres të formohet Gjykata Speciale për ta pajisur me dëshmi kundër të ashtuquajturës ‘organizatë terroriste e UÇK-së’, siç e quante ajo”, ka thënë Beqa.
Ai ka folur edhe për ‘përplasjet’ me deputetët e mazhorancës, për të cilën ka thënë se ka filluar nga ana e ministrave dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Beqa ka thënë se deputetët e VV-së kanë filluar me fyerje dhe kanë tentuar t’i sulmojnë fizikisht deputetët e PDK-së, teksa ka përmendur edhe përplasjen e tij me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi.
Seancën e kanë lëshuar edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci, i ndërpreu fjalën Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashit.