Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër keqpërdorimin e imazheve të ish-kryetarëve të kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nga ana e një grupimi politik që sipas PDK-së po përpiqet ti mashtrojë qytetarët e Drenasit në këto zgjedhje, duke keqpërdorur figurat dhe emrat e tyre.
PDK reagoi lidhur me këtë situatë të krijuar së fundi nga kandidati Driton Ajazi dhe “Demokratët për Drenasin”, apo saktësisht njohur si kundërkandidati i Ramiz Lladrovcit të PDK-së në Drenas.
Tutje nga PDK kanë ftuar qytetarët e Drenasit, pa dallim, që më 14 nëntor të ndëshkojnë me votë këtë grupim individësh që synim kryesor e kanë dëmtimin e PDK-së në bastionin e saj tradicional.
Reagimi i plotë:
Reagim
Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër keqpërdorimin e imazheve të ish-Kryetarëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, nga ana e një grupimi politik që po përpiqet t’i mashtrojnë qytetarët e Drenasit në këto zgjedhje, duke keqpërdorur emrin dhe figurat e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës fton të gjithë qytetarët e Drenasit, pa dallim, që më 14 nëntor ta ndëshkojnë me votë këtë grupim individësh që synim kryesor e kanë dëmtimin e PDK-së në bastionin e saj tradicional.
Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje në Drenas ka vetëm një adresë – numrin 177 dhe kryetarin e Komunës, z. Ramiz Lladrovci.