Deputetja Albena Reshitaj, e cila së fundmi ishte në qendër të vëmendjes pasi mori pjesë në votimin për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, ka shkruar se angazhimi i radhës i saj do të jetë krijimi i mundësive të reja për kuadrot mjekësorë.
Reshitaj ka publikuar një fotografi me disa studentë specializantë, duke shkruar se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për kontributin e tyre në vend.
“Nē klinikë me ish studentat e mi që sot janē specializantët e nesër do jenë specialist. Motivi im për të vazhduar përpara. Angazhimi im i radhës do jetë krijimi i mundësive që keto kuadro mjekësore të kenë perspektivë e të punësohen ne vendin e tyre, mos ta shohin të vetmen shpresë largimin jasht. Kosova ka nevojë me shumë se kurrë për kontributin e tyre këtu”, ka shkruar Reshitaj.
Reshitaj, në kundërshtim me qëndrimin e partisë, ka marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit, duke mohuar të jetë joshur nga një ofertë nga qeveritarët.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në një situatë të rënduar nga Pandemia, do të ishin rrezik tepër i madh për qytetarët tanë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë që institucionet të merren me menaxhimin e kësaj gjendje dhe jo të kontribuojmë që situata të përkeqësohet. Si një profesioniste shëndetësore nuk kam mundur ta bindi vetën që diçka e tillë të ndodh”, tha Reshitaj dje në një sqarim të gjatë lidhur me këtë çështje.