Armenda Veliaj u vra nga bashkëshorti i saj, Bajram Veliaj, më 6 gusht të vitit 2019 në Prizren, ku po qëndronin për pushime, pasi kishin ardhur nga Zvcira .
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 23:00 në lagjen Ortakoll, e që e gjitha kishte ardhur si pasojë e një zënke mes çiftit.
Pas zënkës, e ndjera kishte dalë nga shtëpia, ku më pas burri i saj e kishte marrë armën e llojit “Pietro Beretta Gardone” dhe kur e kishte parë që viktima kishte dalë nga objekti i banimit, kishte shtënë 15 herë në drejtim të saj.
“Me datë 06 gusht 2019, rreth orës 23:18 minuta në Prizren, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.A.-V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishte me bashkëshorten e tij, tash të ndjerën A.A.-V., e në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, dhe del nga shtëpia e tij, e në momentin kur e vëren viktimën – bashkëshorten e tij A….., i afrohet asaj, e drejton pistoletën në drejtimin e saj, shtënë 15 herë në drejtimin e saj, me ç ‘rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë, nga goditja e predhave viktima rrëzohet për toke, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarje”,thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Menjëherë, pas këtij akti Bajram Velija ishte vet ai që e lajmëroi policinë duke pranuar se shtiu me armë mbi gruan e tij. Madje, ai e kishte mbuluar trupin e viktimës me fustanin e saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë.
Gjykata Themelore në Prizren sot e ka dënuar me burgim të përjetshëm Bajram Veliajn për vrasjen e bashkëshortes së tij.