Qeveria britanike ka nënshkruar dy kontrata të reja për 114 milionë doza shtesë të vaksinës për Covid-19 pas paraqitjes së variantit të ri të koronavirusit, Omicron.
Marrëveshjet janë për 60 milionë doza të kompanisë “Moderna” dhe 54 milionë doza të kompanisë “Pfizer”. Kontratat janë plotësim i 35 milionë dozave tjera të kompanisë “Pfizer”, që pritet të shpërndahen vitin e ardhshëm, dhe 60 milionë dozave të Novavax-it e 7.5 milionë dozave nga GSK/Sanofi. Dy vaksinat e fundit nuk e kanë marrë ende miratimin nga rregullatorët.
Britania e Madhe tashmë ka regjistruar 32 raste të variantit të ri, Omicron, pavarësisht se ka vendosur masa të rrepta kufizuese për udhëtimet nga shtetet afrikane, shkruan Politico.
Ndonëse ende nuk ka dëshmi të prekshme se varianti i ri mund ta anashkalojë efikasitetin e vaksinave të tanishme, shkencëtarët kanë shprehur frikë se ai ka mundësi që të bëjë një gjë të tillë, duke e marrë parasysh numrin e madh të mutacioneve në pjesën ku vaksina e vë në shënjestër virusin.
Pritet që të gjithë të të rriturve në Britani t’u ofrohet doza përforcuese nga fundi i janarit. Qeveria britanike ka furnizime të mjaftueshme për ta marrë këtë masë.