Pas konfirmimit si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është lajmëruar për herë të parë në rrjete sociale.
Reagimi i tij ka ardhur pas një postimi të Enver Hoxhajt të PDK’së, i cili e uroi për konfirmimin e tij në këtë pozitë.
Hovenier ka thënë se po pret që të kthehet në Prishtinë dhe të punojë me homologët e tij nga Kosova për t’i thelluar më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
“Faleminderit! Pres të kthehem në Prishtinë dhe të punoj me homologët e mi nga Kosova për t’i fuqizuar e thelluar më tej marrëdhëniet ShBA – Kosovë”, ka shkruar Hovenier.
Ndryshe, në korrik të këtij viti, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Njoftimi ishte bërë nga ana e Shtëpisë së Bardhë.
Sot, ai është konfirmuar si ambassador edhe nga Senati amerikan.
“Jeffrey M. Hovenier nga Uashingtoni, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Kategoria e Ministrit-Konsulentit, do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Votimi i nominimit është vendosur në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit më 19 tetor 2021. Nominimi është pranuar nga Presidenti më 13 korrik2021″, thuhet në njoftimin e Senatit.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Hovenier ka qenë zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.
Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.
Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.
Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvëndëjë, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett.
Përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter, ambasadori Kosnett e kishte uruar Hovenier për nominimin që të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Kosovë./