Edhe Partia e Drejtësisë në Mitrovicë, pas Aleancës Kosova e Re, ka vendosur ta mbështesë Bedri Hamzën për kryetar të Mitrovicës.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, së bashku me kryetarin e Partisë së Drejtësisë në Mitrovicë, Vesel Neziri, sot kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, ka falënderuar kryetarin Neziri dhe strukturat drejtuese të Partisë së Drejtësisë në Mitrovicë për besimin dhe mbështetjen e tyre.
“Së bashku me Partinë e Drejtësisë, me Aleancën Kosova e Re, me njerëzit vullnetmirë të Mitrovicës, po i bashkojmë forcat për jetësimin e vizitonit tonë për një qytet më funksional, më të pastër, me mjedis më të gjelbër. Po i bashkojmë forcat për t’ia dhënë Mitrovicës dhe banorëve të saj qeverisjen që e meritojnë dhe që i bënë ata krenarë”, ka thënë Hamza.
Partia e Drejtësisë në Mitrovicë, sipas kësaj marrëveshjeje, zotohet të mbështesë kandidatin e PDK-së, Bedri Hamzën, për kryetar të Mitrovicës.
Pas fitores në zgjedhjet lokale në Mitrovicë, Partia e Drejtësisë do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në komunën e Mitrovicës.
Kryetari i këtij subjekti politik, Vesel Neziri, ka ftuar gjithë anëtarësinë e Partisë së Drejtësisë dhe qytetarët e Mitrovicës që ta votojnë kandidatin e PDK-së, Bedri Hamzën, për kryetar të Mitrovicës.