Pasi u hapi dyert afganëve pas ardhjes në pushtet të talebanëve, ukrainasve që ikin nga lufta dhe teksa poshtë kryeministrisë protestohet në ditën e tretë kundër rritjes së çmimeve, kryeministri Edi Rama njoftoi se mirëpret në Shqipëri edhe nigerianët që ikin nga konfliktet atje. Nga Antalja e Turqisë, ku flitet për paqen globale, ai tha se u ka shkruar autoriteteve nigeriane dhe që të vijnë në Shqipëri.
“Vaksinimi në Afrikë është racizëm i mirëfilltë, por si ta shpjegosh atë që ndodh me nigerianët në kufi, që po përpiqen të dalin. Sapo u shkruam autoriteteve nigeriane dhe u thamë të vijnë në Shqipëri se është fyese kundrejt nesh dhe traditës sonë që të shohim këto lloj ndasish, po Afganistani, që u tha se do të vijmë të sjellim paqen e demokracinë dhe i lamë edhe më keq se 20 vjet më parë dhe i lamë plotësisht të ekspozuar dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe tani u duhet të përballen me jetë a vdekje. Ndjehem i turpëruar kur thonë që Shqipëria sa mirë e keni bërë ju hapët dyert. Kjo është e tmerrshme se kjo duhet të jetë diçka që të gjitha vendet duhet ta bëjnë. E mira e udhëheqjes si Shqipëria është se thua atë që mendon, se nuk duhet të marrësh vendime shumë të mëdha. E vërteta është shumë e rëndësishme që të përballemi me të vërtetën”.